Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj dy të rinjve Xhulian Hoxha dhe Euglen Halili në lidhje me dy vrasje të ndodhura vitin e kaluar në qytetin e Elbasanit dhe ka dërguar dosjen e tyre në Gjykatë për gjykim. Ndaj të rinjve rëndojnë akuza si vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Bëhet fjalë për vrasjen e Emiljano Ramazanit me 20 Korrik dhe Regis Runajt me 29 Korrik.

Xhulian Hoxha, i akuzuar: Për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet  78/2, 278/3 të Kodit Penal; Për krimin e vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal; dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal.

Euglen Halili, i akuzuar: Për krimin e vrasjes në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/2 dhe 278/3 të Kodit Penal; Për krimin e vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, parashikuar si “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 të Kodit Penal ; dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK njofton se po vazhdojnë hetimet ndaj personave të tjerë të përfshirë si autorë të mundshëm në këto dy ngjarje kriminale. Kujtojmë se në lidhje me këto dy ngjarje është arrestuar Erion Alibej si porositës dhe organizator i vrasjeve. 34-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal dhe emër i njohur për drejtësinë. Ai është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në një atentat mafioz dy vite më parë, së bashku me xhaxhain e tij Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erdal Dyranay.

Sa i përket Xhuliano Hoxhës, mendohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Regis Runajt dhe është përfshirë në atentatin ndaj Emiljano Ramazanit. Ai ka qenë sëbashku me Euglent Halilin natën kur vranë Runajn. Policia dhe Prokuroria pretendojnë se ka prova të mjaftueshme që provojnë implikimin e dy të rinjve në dy vrasjet që tronditën Elbasanin brenda 10 ditësh.

Xhuliano Hoxha bashkë me Euglen Halilin sipas policisë janë vrasës me pagesë. Sipas uniformave blu, ata kanë qenë në shoqërinë e Regis Runajt mbrëmjen e 29 Korrikut kur edhe u vra i riu.

Pasi konsumuan lëndë narkotike pranë varrezave, ata iu drejtuan qytetit të Elbasanit. Në afërsi të varrezave, Halili goditi 1 herë me thikë pas shpine Runajn dhe më pas e goditi edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen. Gjatë hetimeve dy të rinjve iu gjet një motor me njollat e gjakut të viktimës dhe një shumë eurosh.

Por jo vetëm kaq. Dy të rinjtë rezultuan të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit më 20 Korrik, mikut të Regis Runajt. Ata kanë kontrolluar lëvizjet e viktimës. Për të dyja këto punë, të rinjtë u paguan nga persona të tjerë./tvklan.al