3 fëmijë morën pjesë në vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta. Por jo vetëm kaq. Ata u përpoqën ta fshihnin krimin monstruoz. Groposja e trupit të 50 vjeçarit te kasollja e bagëtive, lëvizja e makinës së tij në një vend larg banesës dhe më pas denoncimi në polici, ishin e gjitha pjesë e skenarit. Por siç duket harruan disa detaje që do i nxirrnin zbuluar.
Asnjë telefonatë nga familjarët edhe pse ata e deklaruan të zhdukur! Është ky një detaj që i bëri hetuesit të dyshojnë. Kështu ka deklaruar sonte në “Opinion” drejtori i Policisë së Durrësit Skënder Hita.
-A është e vërtetë që s’kishin bërë asnjë telefonatë pas zhdukjes së babait?
Skënder Hita: Familjarët nuk e kishin telefonuar numrin e të atit, kjo na bëri të dyshonim dhe më shumë, që patjetër kishim të bënim me ngjarje kriminale. Momentet e para ishin në vijueshmëri të deklaratës. Makina tjetër është e një komshiu aty afër, edhe ai është pyetur për rastin. Në të gjithë rrethanat, kolegët, ambientet që frekuentonte, nuk na rezultonte se kishim të bënim me një largim të beftë. Pas intervistimit të familjarëve, tek të cilët u vajt disa ditë me radhë, në një moment të caktuar Hygerta merr përsipër krimin dhe thotë se e kam bërë e vetme, e kam kryer vrasjen te kasollja. Ajo deklaronte se i ati e shoqëronte çdo ditë për në shkollë, dukej një marrëdhënie normale baba-fëmijë./tvklan.al