Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e së enjtes mbrëma, ku një 15-vjeçar nga Fushë Mëzezi mbeti i plagosur me armë zjarri.

Policia bën me dije se ka shoqëruar babanë dhe xhaxhain e adoleshentit. Siç ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, dyshimet e hetuesve janë për një konflikt të mundshëm brenda familjes që mund të ketë degraduar deri në përdorim armësh.

Kjo për arsye se i mituri ka dhënë dëshmi kontradiktore. 

Sipas 15-vjeçarit, është qëlluar 4 herë në drejtim të derës kryesore të oborrit të shtëpisë nga një makinë e zezë, për të cilën ka thënë se është larguar menjëherë.

Por hetuesit nga këqyrja e vendit të ngjarjes konstatuan 5 vrima plumbash në derë, të cilat janë qëlluar nga brenda oborrit, pasi vrimat e plumbave kanë dinamikë dalëse jashtë porte dhe jo nga jashtë brenda. Kjo rrëzon mundësinë e të shtënave të mundshme nga autorë të jashtëm.

Dyshimet e hetuesve janë për një konflikt mes 2 vëllezërve, debat që mund të ketë degraduar në oborr deri në përdorim arme.

Edhe i ati i 15-vjeçarit ka dhënë dëshmi kontradiktore, pasi sipas tij kishte dëgjuar të shtëna dhe djalin që erdhi i plagosur.

15-vjeçari, sipas burimeve, nuk ka rrezik për jetën. Ai ka marrë 3 plumba, 1 në shpatull dhe 2 në krah./tvklan.al