Trajneri i Barcelonës kërkon kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve

Xavi Hernandez është gati të përballet me Napolin me synimin që ta rikthejë Barcelonën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2020. Për trajnerin blaugrana, kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit.

“Ne jemi gati dhe kemi entuziazëm! Ka katër vite që nuk luajmë në çerekfinale. Duam që të matemi me një rival që edhe pse nuk po kalon momentin më të mirë, ka të njëjtën bazë si skuadra që fitoi titullin kampion vitin e kaluar. Do të kemi nevojë për një stadium të mbushur plot. Nuk ka favoritë, kemi 50% mundësi. Por tifozët mund të na ndihmojnë!”

Fakti që ndeshja do të luhet në stadiumin olimpik të Barcelonës dhe jo në “Camp Nou” nuk duket se e shqetëson teknikun. Edhe Napoli ka entuziazëm për këtë përballje të rëndësishme.

Sfida e parë në stadiumin “Maradona” përfundoi me rezultatin 1-1. Viktor Osimhen iu përgjigj golit të Robert Levandovskit.

Të kaltrit do t’i besojnë sërish bomberit të tyre për takimin e kthimit të raundit të 16-ve të Ligës së Kampioneve.

Klan News