Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe zv.kryeministrja Senida Mesi kanë qenë ditën e sotme në Dajç e Belaj të Shkodrës, aty ku prej javësh situata është e përkeqësuar nga përmbytjet.

Ministrja tha se situata është drejt përmirësimit dhe niveli i ujit ka rënë me 20 cm krahasuar me ditën e shtunë. Ajo ka kërkuar vlerësim të menjëhershëm të të gjitha dëmëve të shkaktuar nga përmbytjet.

“Fokusi i ditës, ndihma për çdo banor në vështirësi. Zgjidhja afatgjatë për situatën do të përcaktojë edhe penalitete për bashkitë që nuk marrin masa parandaluese për situata të tilla”

.

Xhaçka i kërkoi administratorit të Dajçit që të bëhen të gjithë bashkë dhe të mos përsëriten më situata të tilla.  

Ndërsa zv.kryeministrja, Mesi tha se Qeveria qendrore, vazhdon gatishmërinë maksimale për t’u ardhur në ndihme banoreve të prekur.

“Fatmirësisht, është rritur sensibilizimi edhe nga komuniteti i biznesit dhe shoqatave. Nuk duhet të limitohemi vetëm me menaxhimin e situatave të rënduara.  Zgjidhje afatgjate pas kalimit të situatës”

, u shpreh ajo.

Gjithashtu ministria e Mbrojtjes informon se deri tani janë angazhuar 148 forca, 27 mjete, 6 motobarka  dhe 2 pompa thithëse dhe po veprojnë në Obot, Livadë, Dajç, Velipojë, Belaj, Trush, Bushat.

Janë transportuar 87 banorë, janë shpërndarë1500 kg ushqime, 31500 litra ujë i pijshëm, 400 kg koncentrat,vazhdon largimi i ujit nga banesat dhe objektet e rëndësishme me pompa thithëse.

Vazhdon koordinimi me pushtetin vendor për transportim ushqimesh ujë dhe koncentrat në zonat e përmbytura.

/tvklan.al