Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, në një intervistë në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka folur për marrëveshjen e 5 Qershorit. Kim shprehet se marrëveshja e 5 Qershorit ishte një arritje për politikën shqiptare, por shton se ndryshimet që janë bërë në Kuvend pa konsensus ishin zhgënjyese.

Më tej diplomatja tregon dhe negociatat që janë bërë në rezidencën e saj dhe shprehet se ka pasur një rol negociues pasi vendimet janë marrë nga vetë liderët shqiptarë, pasi Shqipëria është një vend sovran.

Blendi Fevziu: Ambasadore Kim, mirë se erdhët në studion e Opinion. Shpresoj do të jeni e hapur për këtë diskutim sot?

Ambasadorja Kim: Faleminderit shumë për ftesën.

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes drejtpërdrejt. Ditët e fundit, parlamenti miratoi disa ndryshime në ligjin zgjedhor, kodin zgjedhor, por ndryshimet nuk u bënë me kompromis, me konsensusin që patëm në 5 Qershor. Më pas, pamë deklarata nga Ambasada e SHBA dhe Bashkimi Europian. Të dyja palët thonë se mbështetja e Ambasadës së SHBA ishte për ta. Opozita tha “mbështetje për ne” dhe qeveria tha “mbështetje për ne.” Kush e ka gabim dhe kush ka të drejtë në këtë rast?

Ambasadorja Kim: Mendoj se deklarata që nxori Ambasada e SHBA ishte shumë e qartë, pra që metoda me të cilën u arrit marrëveshja e 5 Qershorit ishte një mënyrë e mirë dhe që duhet të ishte përdorur si model për marrëveshjet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mohojmë kompetencën e parlamentit për të miratuar legjislacion. Lidhur me pyetjen nëse 5 qershori u shkel apo jo, njerëz të ndryshëm kanë opinione të ndryshme. Nëse më pyet mua…

Blendi Fevziu: Po, dua mendimin tuaj…

Ambasadorja Kim: Edhe opinion im është shumë i qartë për këtë. Ajo që ndodhi përtej 5 Qershorit shkon përtej 5 Qershorit por nuk e shoh si shkelje të 5 Qershorit.

Blendi Fevziu: Por në fakt, në 30 vitet e fundit, ose 28 a 29, gjithmonë kemi pasur kompromis, një konsensus le të themi, për Kodin Zgjedhor. Është hera e parë pas 30 vjetësh kur kemi një ndryshim të Kodit, sigurisht që në Parlament, që nuk është produkt i konsensusit. A është ky një problem për Shqipërinë apo për komunitetin ndërkombëtar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është shumë zhgënjyese që pjesa e dytë e Reformës Zgjedhore nuk u arrit në të njëjtën mënyrë, sepse pjesa e parë, 5 Qershori u bë mirë. Dhe duhet të ishte përsëritur. Mendoj se është diçka e pafat që opozita kryesore nuk ishte e pranishme në Parlament dhe mendoj se kjo nënvizon përgjegjësinë e cilitdo për të mbetur i angazhuar.

Blendi Fevziu: Në fakt, 5 Qershori ishte produkt i presionit nga komuniteti ndërkombëtar apo vullnetit të partive politike shqiptare?

Ambasadorja Kim: E dini, Shqipëria është një vend sovran dhe politikanët këtu janë shumë të aftë.

Blendi Fevziu: Disa herë janë vend sovran, disa herë…

Ambasadorja Kim: Mendoj se iu duhej një mik për t’i ndihmuar të arrinin konsensusin. Unë kam qenë në diplomaci për një kohë të gjatë dhe jam ulur në tryeza negociatash shumë herë dhe mund t’ju them që në këtë situatë, donin të arrinin një marrëveshje dhe ishin të lumtur të kishin ndihmën e miqve të tyre.

Blendi Fevziu: Ishte hera e parë që ambasadorja amerikane mirëpriti të gjitha partitë politike në rezidencën e saj për të gjetur një zgjidhje. Ishte e pamundur për partitë shqiptare ta arrinin marrëveshjen apo konsensusin pa ndihmën tuaj.

Ambasadorja Kim: Mendoj se është me rëndësi për udhëheqësit që t’i qëndrojnë fjalës së tyre. Kështu, të gjitha partitë kishin rënë dakord të arrinin një marrëveshje deri më 31 Mars, apo jo? Kaloi ca kohë për shkak të Covid, por kur u zgjat shumë, mendoj se u bë e qartë që iu duhej pak ndihmë dhe isha e lumtur ta ofroja atë./tvklan.al