Fatjon Janina, 39 vjeç, u arrestua nga Policia e Durrësit si autor i vrasjes së të moshuarit Paulin Gina, ngjarje e ndodhur në 30 Dhjetor në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar.
Ai është vënën në akuzë për vrasje me dashje duke e goditur 82-vjeçarin me thikë e çekiç dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Para hetuesve, Janina ka treguar se debatoi me viktimën e tij për një borxh që pretendon se i kishte i moshuari.
“Më kishte 200 mijë Lekë borxh. E pashë dje që po dilte nga shtëpia nga kati i 5-të ku unë banoj te sheshpushimi i shkallëve. I thashë hajde flasim për atë borxhin që më kishte se me duheshin lekët për vitin e ri. U futëm të shtëpia e tij. Debatuam dhe me tha nuk kam lekë. Më ofendoi, më tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë. Ai donte të me godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa here me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë”.
Pas ngjarjes, 39-vjeçari ka marrë thikën dhe çekiçin, i ka fshehur në banesën e vetë.
Ka kyçur derën e banesës së 82-vjeçarit, i cili jetonte vetëm dhe më pas është larguar.
Autori u vu në pranga me ndërmjetësimin e të vëllait këtë të martë.
Tv Klan