Zbulohet shtetasi kinez me lidhje të ngushta me Princin Andrew i cili ka mohuar për herë të parë akuzat për spiunazh. Sipas mediave të huaja, Yang Tengbo u ndalua që të hyjë në Britani në vitin 2023 pasi Ministria e Brendshme tha se ai ishte përfshirë në aktivitet të fshehtë për Partinë Komuniste Kineze.
Gjykata britanike gjithashtu hoqi masën e ndalimit të publikimit të të dhënave mbi Yang. Ky i fundit pretendon se nuk është i përfshirë në spiunazh, por thjesht është viktimë e një klime politike që synon rritje të tensioneve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës.
50-vjeçari ka punuar si nëpunës civil në Kinë përpara se të shkonte në Britaninë e Madhe në 2002 për të studiuar dhe atij iu dha leje për të qëndruar në 2013. Biznesmeni kishte vizituar rregullisht Mbretërinë e Bashkuar, duke marrë pjesë në disa evente të organizuara në rezidencat mbretërore, si dhe në festën e ditëlindjes së Andrew në shtëpinë e tij.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, ambasada kineze në Londër i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar të ndalojë menjëherë manipulimin kundër Kinës.
Ndërkaq Princi Andrew nuk do të marrë pjesë në festën e Krishtlindjeve në Sandringham këtë vit pasi u shfaq më herët në titujt e mediave britanike për lidhje të ngushta me spiunin kinez. Andrew, do të mungojë edhe në festimet në pronën private në Norfolk të mbretit Charles, ku 45 anëtarë të familjes së tyre pritet të kalojnë Krishtlindjen.
Klan News