Kryedemokrati Sali Berisha thotë se në Gjermani presin me padurim fitoren e Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët, Berisha ka folur për pjesëmarrjen e tij në Kongresin e CDU-së në Berlin. Kryedemokrati është shprehur se udhëtimi i tij drejt Berlinit ishe udhëtim drejt fitores.
Sali Berisha: Udhëtimi im drejt Berlinit ishte udhëtim drejt fitores. Natyrisht unë e kuptoj që ju keni kuriozitet të shpreh opinionin tim për këtë udhëtim, pra, ishte udhëtim drejt fitores. Një koincidencë shumë interesante, kam qenë kryetar i PD 32 vjet më parë, kur jam nisur drejt kryeqytetit gjerman, në atë kohë ishte Boni, dhe nuk ishte kongresi i CDU-së, ishte një samit i OSBE-së, por Helmut Kohl do të ishte kryeministri i parë që unë do të takoja si politikan disamujor. Historia përsëritet, në atë kohë pak muaj më parë kishim dalë nga izolimi komunist.
Edhe kësaj here, pak muaj më parë dola nga izolimi i narkodiktaturës. Atëherë fitova. Atëherë fituam zgjedhjet, PD fitoi zgjedhjet. Këtë herë, PD fiton zgjedhjet. Kjo është esenca. Dhe unë mund t’u them demokratëve dhe shqiptarëve, se partia më e fuqishme e Europës, presidenti i të cilës merr në pak javë timonin e shtetit udhëheqës të Europës, Friedrich Merz, presin me padurim fitoren e PD. Dëshirojnë fitoren e kësaj force politike si një forcë me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta.
/tvklan.al