Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se me Partinë Demokratike në pushtet do të ketë zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët, kryedemokrati Berisha shprehet se në axhendën e të gjitha qeverive më serioze, përfshirë edhe Presidentin e SHBA-së Trump është problemi i trafikut njerëzor.
Berisha shprehet se nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit.
Sali Berisha: Por duhet ta them këtu, sot në axhendën e të gjitha qeverive më serioze, përfshi Presidentin e SHBA, Trump, është problemi i trafikut njerëzor, i emigracionit, i refugjatëve. Partnerët, aleatët tanë e kanë shumë të qartë se me PD-në në pushtet, zero flukse trafikimi drejt vendeve të tjera. Nuk do ketë më emigrantë që të përdorin territorin e Shqipërisë për të ecur drejt Perëndimit. Ligji, ata e dinë që është forcë e ligjit, shteti ligjor, PD. Me një vokacion të palëkundur për tregun e lirë, por dhe trajtimin e çështjeve sociale me përgjegjësi të madhe.
Mund t’u them se ishte udhëtim drejt fitores pasi e kuptoni vetë, pjesëmarrja pas kaq vitesh në një Kongres, unë mund t’iu them ju se përzemërsia ndaj nesh, ndaj përfaqësuesve të PD-së, ishte më e madhe se asnjëherë. Nuk kam gjetur ndonjëherë një përzemërsi të tillë në ndonjë konventë ndërkombëtare. Ishte një udhëtim drejt fitores, pasi aty pata rastin të takoj shumë miq gjatë gjithë ditës.
Miq të vjetër, që kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, por edhe miq të rinj, që ishin të informuar për qëndrimet e PD-së, vendosmërinë e saj për të nxjerrë Shqipërinë nga narkodiktatura. Aty patëm shkëmbime miqësore mendimesh, shtrëngim duarsh, por që të gjitha asgjë spontane, të gjitha të organizuara, të llogaritura, të suksesshme, domethënëse.
/tvklan.al