Jo në të gjitha rastet kur në Shqipëri janë zhvilluar zgjedhje, leximi i votës është kuptuar në të njëjtën mënyrë nga përfaqësuesit e forcave politike. Kjo është një nga skenat që shënjoi zgjedhjet lokale të 2007-ës në komunën Ndroq pak kilometra larg kryeqytetit. Ngjarja asokohe dëshmoi, se me gjithë përmirësimin e mënyrës së numërimit nuk u arrit të garantohej një proces zgjedhor i qetë.
Dy vjet me pas panorama qe ofrohet duket të jetë ndryshe. Argumenti bindes për klasën politike vjen pikërisht në modalitetet dhe rregullat e reja të lojës të sanksionuara në kodin e ri elektoral. Nëpërmjet kamerave të vendosura në çdo tavolinë komisionarët dhe vëzhguesit vendorë, do të bëjnë të mundur leximin e votës në një monitor i cili do të shfaq fletën e votimit në ekran vetëm një herë në 4 sekonda. Ky informacion do t’i përcillet online Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të bëjë publik në kohë reale rezultatet për 66 qendrat e numërimit në të gjithë vendin.
Arben Ristani: “Transparenca këtë herë do të jetë maksimale në procesin e numërimit të votave dhe siç mund të shikoni kjo është qendra këtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku ne do të shikojmë se ç’ndodh në 66 vendet ku do të numërohen votat në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet këtij grupi monitorësh do të mund të shohim se ç’ndodh përshembull, pamja e parë që kishim këtu nga Kopliku. Do të kemi pamje deri nga Konispoli, pra do të kemi pamje nga e gjithë Shqipëria, se ç’ndodh në momentin që numërohen votat. Mbaron numërimi i kutisë së caktuar të votimit, rezultati i saj vjen menjëherë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përkthehet në grafik dhe në shifra në një monitor tjetër që e kemi përball. Procesi në këtë formë është më i sistemuar, më i kontrolluar dh normalisht neve mendojmë ta mbyllim procesin e numërimit të votave brenda afatit ligjor që është ora 5 pasdite e ditës së nesërme të votimit.”
Por si bëhet e mundur lidhja me 12 qarqet e vendit nga ku media dhe tërë opinioni publik do të mund të ndjekin rezultatin dhe atë se çfarë ndodh në qendrat e numërimit në të katër skajet e vendit në kohë reale.
Jolldiz Mitro: “Nga kjo sallë e përpunimit të informacionit të të dhënave pas mbylljes së kutive të votimit të gjithë qytetarët ashtu si dhe media në kohë reale do të njihet me ato se çfarë po ndodh në 66 qendrat e numërimit të votave, të cilat shfaqen dhe në monitorët përkatës.”
Instalimi i kamerave është një risi në Kodin Zgjedhor dhe një ndër pikat ku do të mbështetet KQZ-ja dhe partitë politike për të parë drejtpërdrejtë dhe filmuar procesin e numërimit të votave, mjaft të kontestueshëm në këto 18 vjet tranzicion në Shqipëri./tvklan.alGazetare Jolldiz Mitro