Përurohet në një kohë rekord zgjerimi dhe modernizimi i terminalit të pasagjerëve në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend, atë në Rinas. Në ceremoninë e inaugurimit të fazës B të investimit, së bashku me përfaqësues të lartë të kompanisë koncesionare, ka qenë edhe kryeministri Berisha.

Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është pasaporta më e shkëlqyer që Shqipëria mund të prezantohet me jashtë, u shpreh me herët, gjatë fjalës përshëndetëse, kryeministri Berisha, teksa theksoi rritjen befasuese të numrit të pasagjerëve gjatë vitit të kaluar.

Sali Berisha: “Ky aeroport është bërë pasaporta më e shkëlqyer me shërbimet e shkëlqyera që ofron, me sigurinë e madhe që garanton. Aeroporti ka shënuar në dallim nga të gjitha aeroportet e tjera të Europës një rritje prej 10 % në pasagjerë. Në raste tjera kanë pasur një rënie prej 4 % , i takon këtij aeroporti të ketë pasur rritjen më të madhe në Europë. Këto doktor Kalenda janë ritme për të cilat ka nevojë Shqipëria, janë vetëm këto ritme ato që mund ti bëjnë të mundur vendit tim të ndërtojë të ardhmen.”

Zgjerimi i terminalit të pasagjerëve kushtoi rreth 20 milionë euro duke e çuar totalin e investimit nga ana e koncensionarit në këtë aeroport në 70 milionë euro. Investime të tilla, tha kryeministri Berisha, pavarësisht krizës globale bënë që gjatë pjesës së parë të vitit Shqipëria të regjistrojë një boom të investimeve të huaja direkte.

Sali Berisha: “Banka e Shqipërisë ka njoftuar këto ditë se investimet e huaja në Shqipëri në 6-mujorin e parë të vitit 2009, u rritën me 59 % krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2008. Investimet në këtë aeroport janë një pjesë parësore e këtij investimi të rëndësishëm të viti 2009. Unë qarkova vendin tim për të bindur qytetarët shqiptar se Shqipëria po ndryshon dhe nuk ka dëshmi më të shkëlqyer se kjo, se Shqipëria po ndryshon.”

Drejtori ekzekutiv i konscesionarit gjerman, Hochieft Airpoort, falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë.

Reinhard Kalenda: “Në 2005 asnjëri nuk mundi të parashikonte se ne do të fillonim zgjerimin e terminalit të pasagjerëve i cili përfundoi në 2007. Në kohë rekord kompania jonë ka arritur të projektojë dhe realizojë një aeroport. Arkitektura, performancat dhe funksionaliteti i të cilit mund të krahasohet me cilindo aeroport tjetër. Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës përmbush të gjitha standardet e BE-së përsa i përket sigurisë. Gjithashtu aeroporti ofron nivele shërbimi të cilat pak njerëz mund ti kishin pritur vetëm pak vite më parë.”

Përfitues direkt nga ky investim janë pasagjerët dhe kompanitë e fluturimit. Zgjerimi i terminalit do të krijojë mundësinë e rritjes me të paktën 50 % të numrit të pasagjerëve që mund të përpunohen në këtë aeroport.

Andrea Gebbeken: “Dhe tani po ju jap disa statistika, zgjerimi synon të përballojë 1.5 deri në 1.8 milion pasagjerë në vit. Ai shton 4.833 m2 ose 40% të faqes ekzistuese dhe ka një lartësi që varion nga 7-13.5 m . Faza B ka 13 banaqe të reja check in, një banak për bagazhe jashtë standardit, 3 dyer dalje të reja, zyra të reja për kompanitë ajrore, një bar të ri, dyqane të reja dhe një filial banke. Me gjithë krizën që ka përfshirë transportin ajror në shumë aeroporte të Europës, ne jemi duke përparuar falë palëve që mundësojnë jetën e përditshme të aeroportit.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro