Policia e Shtetit ka dhënë informacion shtesë për ngjarjen e rëndë që dyshohet të ketë ndodhur pak pas mesnatës së kësaj të enjteje në Dhërmi. Kështu policia konfirmon se Gerald Shehu, 43-vjeç është largua nga vendi ynë drejt Greqisë, ndaj dhe po punohet me autoritetet fqinje për kapjen e tij. 43-vjeçari, po sipas policisë, është bashkëpronar i hotelit ku dyshohet dhe se ndodhi krimi i rëndë.
Edhe në këtë njoftim të dytë për mediat, policia thotë se nuk ka mundur ende të gjejë trupin e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi.
“Në vijim të veprimeve intensive që po kryen grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, për gjetjen e Eraldo Nevruzi si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, sqarojmë se nga kontrollet e deritanishme nuk është bërë ende e mundur gjetja e Eraldo Nevruzi.
Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Gerald Shehu (bashkëpronar i hotelit ku punonte Eraldo Nevruzi dhe po bashkëpunon me Policinë greke për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij, pasi nga hetimet e deritanishme, pamjet filmike të sekuestruara dhe dëshmitë e marra, dyshohet se Gerald Shehu ka qëlluar me armë zjarri ndaj Eraldo Nevruzi.
Policia e Shtetit vë në dispozicion foton e autorit të dyshuar, e cila i është vënë në dispozicion edhe Policisë greke dhe partnerëve të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Eraldo Nevruzi mësohet se punonte si recepsionit në hotelin në fjalë dhe po ashtu kishte qenë mik me autorin e dyshuar të vrasjes. Palët dyshohet të jenë konfliktuar në një nga dhomat e hotelit. Dëshmitarë thanë për policinë se janë dëgjuar dy të shtëna me armë. Në vendin e ngjarjes autoritetet kanë gjetur shenja gjaku, por mbetet e paqartë sesi është larguar trupi i 31-vjeçarit nga hoteli./tvklan.al