Ish trajneri kroat i Dinamos, Zlatko Daliç, mund të jetë një nga kandidatët për trajner të ekipit kombëtar të Shqipërisë.

Tekniku është parë në hollin e Hotel Tirana International, dhe ajo që i forcon dyshimet është se ai u shoqërua deri në recepsionin e hotelit nga shefi i marrëdhënieve me jashtë në Federatën e Futbollit.

Përpara kamerave, edhe pse nuk ishte hera e parë, Daliç, nuk është ndjerë komod, dhe ka mohuar që vizita e tij të jetë për këtë qëllim.

Zlatko Daliç: “Vizita ime është krejtësisht private, kam shumë miq në Tiranë dhe kam ardhur t’i takoj. Do të ndjek edhe ndeshjen e kupës. Nuk është e vërtetë që kam ardhur të bisedoj për postin e trajnerit të kombëtares shqiptare.”

Por Daliç ka qenë trajneri i Dinamos dhe ndoshta interesimi do të ishte i justifikuar nëse në gjysmëfinale do të ishte ish skuadra e tij.

Ditët e fundit është përfolur se trajneri i ardhshëm i kombëtares, cili do të jetë ai, do të zhvillojë bisedime edhe një herë në Tiranë.

Më pas kandidatura e tij do t’i paraqitej komitetit ekzekutiv të Federatës së Futbollit për të vendosur.

Ndoshta tekniku kroat, i cili aktualisht drejton kombëtaren e 21-vjeçarëve të Kroacisë, është kandidati potencial për postin e trajnerit të kombëtares./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe