Todd Robinson: Fund pandëshkueshmërisë, keni mbështetjen e SHBA
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit Todd Robinson, takimin e parë në Shqipëri e ka zhvilluar me drejtuesit më të lartë të sistemit gjyqësor dhe drejtuesit e agjencive ligjzbatuese. Në këtë takim zyrtari i lartë i DASH kërkoi dhënien fund pandëshkueshmërisë dhe i përgëzoi për guximin e treguar.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni. Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë.”
Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe dy ligjvënës të opozitës, Jorida Tabaku dhe Dhurata Cupi. Ndërkohë që në ditën e dytë të vizitës ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani në zyrën e tij.
Mësohet se takimi i Robinson me kreun e SPAK dhe me prokurorët e posaçëm ka zgjatur për gati dy orë dhe është diskutuar për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit. Gjatë takimit, Balla e falenderoi për bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese dhe shtoi se po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen.
Robinson pritet të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama. Ai do të vizitojë më pas Kosovën në datat 20-22 Mars, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani.
Klan News