Punonjësit e shpëtimit vijuan edhe gjatë natës kërkimet nën rrënoja për të mbijetuar, pasi streha në hyrje të stacionit hekurudhor në qytetin serb të Novi Sadit u shemb duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur tre të tjerë.

Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur streha rreth 35 metra e gjatë shembet në pak sekonda dhe zë poshtë të gjithë personat që ishin në atë moment përpara stacionit hekurudhor.

Një numër i madh i banorëve të Novi Sadit u mblodhën në qendër të qytetit për të ndezur qirinj për katërmbëdhjetë bashkëqytetarët që humbën jetën në aksidentin më të madh në stacionin hekurudhor në qytet.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç shprehu ngushëllimet për familjarët për tragjedinë e rëndë dhe kërkoi hetim dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Ne duhet të bashkohemi dhe të ndihmojmë familjet e viktimave. Kërkoj nga Prokuroria e Lartë në Novi Sad që personat përgjegjës për atë që ndodhi të ndiqen penalisht dhe të dënohen rëndë”, tha Vuçiç.

Sakaq qeveria e Serbisë shpalli të shtunën ditë zie kombëtare në nder të viktimave të këtij aksidenti, ndërsa qyteti i Novi Sadit tre ditë.

Tv Klan