1 600 forca policie, prej ditës së djeshme dhe paradites së sotme, kanë ushtruar kontroll masiv të territorit në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e Veprimit, për marrjen e masave për kontrollin periodik të territorit, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit, mbajtës dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit, në të gjithë vendin janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis.
Njëkohësisht, çdo Drejtori Vendore të Policisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit e ka pajisur me dron, me qëllim kontrollin sa më të mirë të territorit, edhe në vendet ku forcat e policisë e kanë të vështirë të kontrollojnë për shkak të terrenit.
Po në kuadër të kontrollit të territorit, vijon monitorimi nga ajri nga ana e Guardia di Financa, duke bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me grupet e kontrollit nga toka, me qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike.
Kontrolli i territorit dhe monitorimi nga ajri do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në përmbushje të prioritetit kryesor, atë të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike./tvklan.al