Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë procedim penal për dosjen e 21 Janarit, me bazë kallëzimin e familjarëve të Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë në protestën e 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Treshja e gjyqtarëve të lartë që morën në shqyrtim këtë të martë kërkesën e familjarëve të Nikës, të cilët kundërshtuan vendimin e SPAK, që dërgoi kallëzimin e tyre për hetim në Prokurorinë e Tiranës, tha që Prokuroria e Posaçme kishte vepruar gabim.
Për Gjykatën e Lartë, është SPAK institucioni që duhet të japë përgjigje nëse ka vend për hetime ndaj të kallëzuarve, ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-drejtuesve të lartë të Gardës.
Vendimi i gjykatës u përshëndet nga familjarët, të cilët thanë se kjo është një fitore e së drejtës.
“E prisnim, sepse e drejta gjithmonë fiton”.
Ndërsa avokati i familjarëve, Idajet Beqiri bëri të ditur se do të dorëzojnë në SPAK provat që më parë nuk ishin marrë parasysh nga Prokuroria e Tiranës.
“SPAK-ut i thamë, që kemi dhe provën e re, krahas të tjerave, edhe audioregjistrimin që duam ta dorëzojmë vetëm tek ju. SPAK-u nuk e kishte vullnetin, as ligjor, as moral. Dhe ne tani do ta dorëzojmë patjetër në SPAK”, tha ai.
Kallëzimi u bë në 16 Shkurt të 2023, pas vendimit të Strasburgut që e konsideroi dosjen si të pa hetuar plotësisht.
Tv Klan