Këto janë pamjet kur forcat speciale RENEA futen në apartamentin e një pallati në zonën e Astirit, aty ku këtë të enjte u ngujua një vajzë e moshës 21 vjeç, që pretendonte se ishte dhunuar nga disa persona. Por pavarësisht se i njoftoi vetë, për disa orë e reja me incialet S.Q nuk ka pranuar të hapë derën e apartamentit.
Ndaj me ndërhyrjen e forcave speciale, ajo është marrë dhe shoqëruar në prezencë të stafit mjekësor, i cili pavarësisht pretendimeve të saj nuk ka konstatuar shenja dhune. Burime pranë grupit të hetimit i thanë Tv Klan se ngjarja e ka zanafillën nga një denoncim që një i afërm i 21-vjeçares kishte bërë në polici mëngjesin e kësaj të enjte.
Ai shprehte shqetësimin se nga komunikimet në telefon me të renë ajo kishte shfaqur probleme dhe i kishte kërkuar ndihmë pasi ishte dhunuar në një banesë në zonën e Astirit. Mbi këto të dhëna policia shkoi në vendngjarje. Sapo mbërriti në pallatin ku ajo ndodhej, pronarja e banesës i tregoi oficerëve të policisë se dy apartamentet që ajo kishte në zotërim janë marrë me qira prej disa javësh nga një djalë, i cili dyshohet se është lidhje shoqërore e 21-vjeçares.
Fillimisht efektivët e policisë kanë hyrë në ambientet e një prej apartamenteve, ku gjetën dy armë zjarri tip pistoletë. Më pas në tentativë për t’u futur në banesën tjetër, ku dhe ndodhej e reja, ata kanë kërkuar ndihmën e RENEA-s pasi 21-vjeçarja refuzonte të dilte. Pasi e kanë nxjerrë nga banesa, vajza me incialet S.Q ka qenë në kushte të rënduar psikologjike, por pavarësisht kësaj ka rrëfyer se në banesë ka qenë me 5 persona të tjerë, 3 djem dhe 2 vajza.
Vajzat janë identifikuar prej saj, të cilat janë shoqëruar nga policia. Ndërsa për 3 djemtë ka treguar se nuk i mban emrat, por kujton se ata kanë qenë të armatosur. Mbi bazën e këtyre deklarimeve, por dhe pamjeve filmike të pallatit ku ndodhi ngjarja, policia ka identifikuar 5 personat që dyshohet se kanë qenë në banesë me 21-vjeçaren.
E reja pritet t’i nënshtrohet analizës toksikologjike si dhe një ekspertimi për të mësuar nëse ndaj saj është abuzuar seksualisht. Ndërkohë sa i takon armëve të gjetura, ato janë dërguar për ekzaminim dhe dyshohet se i përkisnin djemve që ndodheshin në banesë.
Tv Klan