Takimin e parë me strukturat e PD-së jashtë Tiranës, kryedemokrati Sali Berisha e nisi me degën e Beratit. Takimi përkoi edhe në kuadër të 34-vjetorit të krijimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri, e për kryedemokratin Sali Berisha përbën edhe një mesazh për të rrëzuar atë që e cilëson si një diktaturë të dytë.

“U bë gjithçka që ne të asgjësoheshim. Një qeveri mafioze, e lidhur si mishi me kockën me mafien dhe krimin, u vërsul me të gjitha mjetet kundër nesh. Mafia ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Xhorxh Soros, bëri gjithçka që padrinos shqiptar t’i jepte të gjitha pushtet, përfshi edhe opozitën. Kthehemi pak tre vite më parë, opozitë e përçarë, opozitë e agresuar. Të shumtit mendonin se opozita në Shqipëri mori fund. Në analizën tonë realiste, nuk mund t’i injoronim ne këto. Sigurisht edhe unë dhe ju, i kemi shtruar vetes pyetjen a jemi në gjendje të përmbushim misionin tonë apo nuk e përmbushim dot? A jemi në gjendje ne që përmbysëm diktaturën e parë, të përmbysim diktaturën e dytë?”

Duke e cilësuar si një sukses ringritjen e PD-së pas tre vitesh sulmesh, ku sipas Berishës u bë gjithçka për të asgjësuar opozitën, tani apeli tjetër është bashkimi i të gjithë demokratëve për t’u bashkuar për t’u rikthyer në pushtet.

“ADN-ja jone është toleranca. Tani jemi në startin e fuqishëm drejt fitores. Dhe unë u them ju se ky është për ne që luftuam diktaturën staliniste, ky është shansi më i madh i jetës sonë. Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po e shkatërron, po e zbraz në mënyrën më të pamëshirë këtë vend. Por kjo kërkon jo vetëm bashkimin e të gjitha kontributeve tona në PD nga ’90 gjer sot, e domosdoshme, politika nuk është kurrë arti i inateve personale, i hidhërimeve, jo, i qëllimeve të përbashkëta, i idealeve të përbashkëta, i vlerave të përbashkëta. Të krijojmë frontin e gjerë”.

Në këtë takim ra në sy edhe motoja e opozitës: Diaspora zgjedh atdheun. Vetë Berisha i kërkoi strukturave që të angazhohen në fushatë sensibilizuese për të bindur emigrantët për të votuar për zgjedhjet e 11 Majit.

Tv Klan