Këto janë pamjet e një sherri në Korçë të ndodhur ditën e sotme, ku një 30-vjeçar u sulmua dhe u dhunua me shkopinj bejsbolli nga 4 persona.
Ngjarja u shënua në lagjen nr.4 të qytetit juglindor, ku konflikti i nisur në rrugë përfundoi në ambientet e një servisi automjetesh, me 30-vjeçarin që vraponte në tentativë për t’u shpëtuar dhunuesve.
Autorët, të gjithë të identifikuar si S.S., K.S., M.Xh. dhe E.G. dhunuan me shkopinj bejsbolli 30-vjeçarin R.H. duke e goditur disa herë në trup të gjithë së bashku. Ky i fundit mbeti i lënduar dhe u dërgua në spital, ku për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia i ka shpallur të gjithë të dyshuarit në kërkim. Grupi hetimor ka zbuluar se sherri i sotëm i ka paraprirë një tjetër konflikti mes të lënduarit dhe vëllait të tij, që u konfliktuan me S.S., një nga persona e identifikuar në këtë video si dhunues.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla e ka dënuar këtë ngjarje dhe kërkon nga policia që të jetë më e vëmendshme ndaj sherreve mes të rinjve që nisin në rrjetet sociale, siç ishte dhe ai i Fierit disa ditë më parë, që fatkeqësisht përfundoi me një viktimë.
“Policia e Shtetit duhet t’i kushtojë gjithmonë e më shumë vëmendje rasteve të dhunës mes adoleshentëve dhe të rinjve, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të tyre në ngjarje kriminale. Rasti i sotëm në Korçë, apo ai i pak ditëve më parë në Fier, janë alarme që duhet ta mbajnë Policinë e Shtetit të vëmendshme dhe ndaj këtij fenomeni. Konfliktet nisin shpesh herë online dhe më pas degradojnë në dhunë fizike apo akte kriminale”, thotë ministri i Brendshëm Taulant Balla.
/tvklan.al