Policia gjermane ka vënë në pranga 50-vjeçarin, autor të masakrës në qytetin e Magdeburg që mbrëmjen e së premtes hyri me shpejtësi në një treg Krishtlindjesh duke lënë pas 5 të vdekur dhe rreth 200 të plagosur. Makina tip BMW e zezë u përplas me turmën e njerëzve që përpiqeshin të shpëtonin.

Autori është identifikuar si Taleb Abdul Jawad, me profesion mjek psikiatër, lindur në Arabinë Saudite dhe rezident në Gjermani që prej 2006-ës. Nga hetimet e deritanishme, rezulton se ai ka vepruar i vetëm dhe nën efektin e lendëve narkotike.

Ai nuk ka qenë piketuar si element radikal edhe pse agjencia e lajmeve Rojters shkruan nga burime të saj se autoritetet arabe e kishin lajmëruar Gjermaninë për disa postime të tij në rrjetet sociale.

Der Spigel raporton se ai ishte një simpatizant i Alternativës për Gjermaninë, një parti radikale kundër emigrantëve. Zona ku ndodhi ngjarja u mbajt e rrethuar për disa orë pas dyshimeve se në automjet mund të kishte lënë shpërthyese.

Autoritetet kanë zhvilluar kontrollesh në banesën e autorit dhe të afërmve të tij. Njëri nga viktimat është fëmijë ndërsa 40 nga të plagosurit janë në gjendje më të rëndë shëndetësore në spital. Sulmi u dënua nga kancelari gjerman, Olaf Scholz i cili pa nga afër vendin e ngjarjes këtë mëngjes.

“Ne nuk do i lejojmë ata që duan të mbjellin urrejtje të shpëtojnë. Nuk është urrejtja ajo që përcakton bashkimin tonë, por fakti që ne jemi një komunitet që dëshiron të fitojë një të ardhme të përbashkët”.

Ky sulm vjen 8 vjet pas atij në Berlin ku një azilkërkues tunizian me lidhje islamike, përplasi një kamion në një treg Krishtlindjesh duke vrarë 13 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Tv Klan