Prej 7 ditësh ky 55-vjeçar i kalon ditët dhe netët në themelet e Drejtorisë së Spitaleve në Elbasan. Quhet Skënder Aliu nga Korça dhe ka 3 fëmijë. Skënderi thotë se ka përfunduar këtu pasi është dëbuar nga Reparti i Urgjencës së Qendrës Spitalore, duke mos u trajtuar si qenie njerëzore, por si një qen rrugësh.

Historia e tij filloi kur u drejtua për në Spitalin e Tiranës për t’u kuruar, pasi vuan nga diabeti kronik. Meqë nuk kishte para dhe të afërm që të interesoheshin për të, Spitali i Tiranës e përcjell për te stacioni i trenit për ta nisur për në korçë me trenin e linjës Tiranë-Pogradec. Gjatë rrugës gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ai ka përfunduar në Urgjencën e Qendrës Spitalore në Elbasan. Pasi ka qëndruar dy ditë këtu, ai është flakur në rrugë si një kafshë.

I pafuqishëm për t’u kthyer në vendlindje, Skënderi është shtrirë tashmë këtu shumë pranë themeleve të ndërtesës së drejtorisë së këtij spitali. Vetëm ndonjë humanist i rastit kujtohet për këtë krijesë që po jep shpirt brenda territorit të spitalit, punonjësit e të cilit e shohin këtë të sëmurë si një endacak. /tvklan.al