Gratë po rrisin përqindjen e tyre në pasurinë botërore, por njëkohësisht po kthehen në një numër më të madh të klasës së miliarderëve, me qëllime të reja dhe filantropiste.
NBC raporton se nga 3323 miliarderët e botës, 13% (431) ndër ta janë gra sipas Censit Altrata të Miliarderëve. Numri mund të duket i vogël, por ai dhe aksionet janë rritur gradualisht për 10 vite.
Sipas artikullit, “rritja e sipërmarrjes femërore, ndryshimi i ngadaltë i qëndrimeve kulturore dhe rritja e shpeshtësisë së trashëgimit të pasurisë ndërbreznore” do të vazhdojë të shtojë numrin e grave në klubin e llogarive ku zerot ndahen me tri presje.
Trashëgimitë kanë qenë një nga nxitësit kryesorë. Tri të katërtat e 431 miliardereve kanë trashëguar një pjesë të trashëgimisë. 38% kanë pasuri që vjen tërësisht nga trashëgimia, përfshirë tri gratë më të pasura të botës Alice Walton (104 miliardë dollarë), Julia Flesher Koch $76 miliardë dollarë) dhe Françoise Bettencourt Meyers (73 miliardë dollarë). Në ndryshim nga gratë, miliarderët që kanë trashëguar pasurinë janë vetëm 5%.
Çereku i miliardereve kanë arritur vetë të kenë pasurinë e tyre, krahasuar me 66% të burrave. Sipas Cerulli Associates, gratë pritet që të trashëgojnë 30 trilion dollarë.
Të dyja gjinitë japin dhe shpenzojnë ndryshe. Gratë përqendrohen më shumë te organizatat jo fitimprurëse dhe sociale.
1 në 5 miliardere e kalon pjesën më të madhe të kohës me organizata jo fitimprurëse, krahasuar me 5% të burrave. Prevalenca e trashëgimisë te gratë është arsyeja kryesore pasi ato kanë “më pak angazhime komerciale” dhe “ka një lidhje të fortë midis pasurisë së trashëguar dhe përfshirjes së hershme në filantropi, mirëqenie dhe drejtësi sociale”.
Miliarderet kanë më shumë kompani private (35% krahasuar me 28% te meshkujt), asete të rrjedhshme dhe para (39% krahasuar me 30%). Miliarderët kanë më shumë aksione, ata vendosin rreth 40% të saj në aksione krahasuar me 22% për gratë.
Gratë kanë më shumë gjasa që të kenë prona luksoze dhe vepra arti. Ka 1.5 herë më shumë mundësi që të kenë prona me vlerë mbi 10 milionë dollarë. Burrat kënaqen me avionët privatë, jahtet dhe makinat e kushtueshme. Ka 3.8 herë më shumë mundësi që një burrë të blejë një makinë mbi 1 milion dollarë sesa një grua. Ka dy herë më shumë gjasa që të kenë një jaht.
Hobet janë gjithashtu të ndryshme. 71% e grave miliardere citojnë filantropinë si hobi. Për burrat, ishin sportet. Gratë gjithashtu rendisin artin, edukimin dhe udhëtimet ndërsa burrat janë më të interesuar ndaj aviacionit, daljeve dhe politikës./tvklan.al