Gjatë intervistës së tij për Blendi Fevziun sonte në “Opinion”, ministri më i ri i kabinetit qeveritar Blendi Gonxhja foli dhe për vitin 2002, moment kur dha dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të bashkisë Tiranë.
Ai u shpreh se situata e përmbytjes në atë kohë në Tiranë (për shkak se u hap diga e Liqenit Artificial) krijoi njëfarë “tensioni” mes Fatos Nanos (asokohe kryeministër) dhe Edi Ramës që mbante detyrën e kreut të bashkisë më të rëndësishme në vend. Për të çtensionuar situatën, Gonxhja shprehet se e pa të mirëqenë të hiqte dorë nga detyra si numri dy i bashkisë.
Më tej, ai thekson se nuk ka pasur kurrë “ftohje” në raportet e tij me Ramën. “Absolutisht që unë kam një raport shumë të vërtetë me të, ky është kapitali më i çmuar që kam në raport me kryeministrin“, theksoi Gonxhja.
-A pati një ftohje në raportet tuaja me Ramën?
Blendi Gonxhja: Jo për këtë, absolutisht jo!
-Kishit 12 vjet bashkëpunim me Ramën dhe befas u ftohët dhe për kaq kohë të tjera…
Blendi Gonxhja: Jo, ne kemi pasur gjithmonë një kontakt. Unë kam pas gjithmonë mendimin tim për gjërat.
-E humbët lidhjen!
Blendi Gonxhja: Kemi pasur mendime që herë pas herë nuk kanë qenë të njëjta për aksionin e përbashkët.
-Unë jam dëshmitar që ju keni thënë se për shumë gjëra që Rama nuk i kishte drejtë. Në atë kohë kam përshtypjen dhe ja thoshit, sepse i thonit dhe publikisht. Sot do guxoni t’ja thoni një gjë nëse mendoni ndryshe?
Blendi Gonxhja: Absolutisht që unë kam një raport shumë të vërtetë me të, ky është kapitali më i çmuar që kam në raport me kryeministrin.
-Pra një gjë që s’bëhet, ia thua dot që s’bëhet?
Blendi Gonxhja: Absolutisht! Jo vetëm që ia them…Mua nuk më është kërkuar ta them me bindje, kam punuar në bashki, në ministri, në DPSHTRR ku kam pasur të bëj me projekte me urbanistikën, me gjithçka…Mua nuk më është thënë kurrë, kurrë në jetë që të bëj një gjë të paligjshme që të jetë si me thënë e detyrueshme sepse më thuhet nga shefa të mi si Rama e të tjerë./tvklan.al