Bruno Carnide është një regjisor portugez, i cili është ndër të parët në botë që ka arritur të krijojë film duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Opinion” në Tv Klan ai tregon se sa e lehtë është të krijosh një film duke përdorur Inteligjencën Artificiale, duke lënë kompjuterin të bëjë gjithë punën.

“Ideja me Inteligjencën Artificiale është se gjërat do të jenë të lehta pasi ti mund të përdorësh kompjuterin dhe të marrësh një rezultat shumë shpejt. Megjithatë, nëse do diçka vërtetë më artistike, atëherë do të të duhet të vesh dorën tënde e të mos e lesh makinerinë të bëj çdo gjë për ty, atëherë puna mund të jetë më e vështirë sepse ti do përpiqesh të nxjerrësh atë që vërtet do nga makineria. Herën e parë, çastin e parë, duket e lehtë por më pas, kur ti fillon të punosh dhe kërkon t’i kesh gjërat fiks ashtu siç dëshiron, mund të bëhet e vështirë e rraskapitëse të punosh me Inteligjencën Artificiale,” tha regjisori.

Gjatë fjalës së tij ai tregoi se si është të krijosh një film me Inteligjencën Artificiale duke e krahasuar me filmat e tjerë me metrazh të shkurtër të krijuar më parë nga ai.

“Lehtësia e të pasurit gjithçka në kompjuter kaq shpejt. Nëse imagjinoni një imazh ose një histori, mund të kërkosh diçka nga kompjuteri edhe në çaste e ke gati. Megjithatë, ti përfundon me diçka e cila nuk të shijon aq shumë. Varet nga mënyra se si e shikon dhe si e përdor,” u shpreh Bruno Carnide./tvklan.al