Luftë është në gjendje të bëjë koalicioni kundër IS. Këtë ai e tregoi në metropolin e Mosulit. Pas dëbimit të IS, ai duhet të tregojë që është në gjendje të bëjë paqe. Kjo do të jetë e vështirë, mendon Matthias von Hein.
Nëntë muaj zgjati beteja e përgjakshme, brutale për Mosulin. Dëbimi i Shtetit Islamik (IS) nga Mosuli mund të ishte një shkak për të festuar – po të kthehej për të mirë për njerëzit gjendja tani në Mosul, po të merreshin masa për rindërtimin e qytetit të shkatërruar në pjesë të tëra, po të jetojnë njerëzit në të ardhmen në siguri. Por të gjitha këto nuk ka gjasa të ndodhin. Jo vetëm sepse IS edhe pas humbjes së territorit shtetëror do të dërgojë sërish atentatorë vetëvrasës në tregje. Por edhe sepse askush nuk e di, si do të mbushet vakumi i pushtetit i lënë nga ikja e IS.
A do të dalin sërish në pah dallimet e vjetra?
E vetmja gjë, e cila i mbante të bashkuara forcat divergjente të koalicionit kundër IS, ishte kundërshtimi i Shtetit Islamik. Tani që ai është dëbuar nga Mosuli, dallime e vjetra mund të shpërthejnë me të gjithë fuqinë. Në dhe përreth Mosulit janë të bashkuar: ushtria irakiane, policia dhe njësitë anti-terror (të gjitha të dominuara nga shiitët, si dhe qeveria në Bagdad), të ashtuquajturit milicë të mobilizimit të popullit (gjithashtu të dominuar nga shiitët, disa me lidhje të ngushta me Iranin), milicë të fiseve sunite, luftëtarë kurdë të Peshmergas të dy fraksioneve rivale.
Secili nga grupet ka agjendën e vet. Për shembull kurdët, që duan të mbajnë në 25 shtator një referendum pavarësie në Rajonin Autonom të Kurdistanit. Konfliktet e pazgjidhura midis këtyre grupeve nxiten edhe më tej nga tensionet konfesionale midis shiitëve dhe sunitëve. Kjo ndodh në një qendër gravitacioni të një konflikti rajonal midis Arabisë Saudite, Turqisë dhe Iranit – edhe nën përzierjen e Rusisë dhe të SHBA si superfuqi. Kjo në një kohë kur duhet kujtuar: edhe lufta kundër Shtetit Islamik është një pasojë e vonshme e luftës në shkelje të së drejtës ndërkombëtare të SHBA kundër Irakut në vitin 2003.
Ushtria irakiane dhe milicët paguan gjithsesi një taksë të lartë gjaku në ripushtimin e Mosulit. Ata do të kërkojnë shpërblim në formën e ndikimit politik, ose të paktën që të fitojnë në rindërtim. Por çmimin më të lartë e pagoi popullata civile e Mosulit: mijëra vetë e humbën jetën, 900.000 të tjerë kanë marrë arratinë. Popullata sunite e Mosulit jeton në frikë si nga terroristët e IS, ashtu edhe nga trupat e koalicionit.
Kërkohen donatorë për pjesën lindore të qytetit
Në pjesën lindore të qytetit është përhapur shqetësim dhe paqetësi: pas gjashtë muajsh, furnizimi me energji ende nuk është rivendosur, uji i pishëm duhet të ofrohet edhe më tej nga cisternat e OKB-së, mësuesit në shkollat e hapura me gëzim të madh nuk marrin rrogë. Edhe qytetet Ramadi, Faluxha dhe Tikrit janë shumë të shkatërruara pas rimarrjes së tyre.
Edhe njëherë, Perëndimi nuk mund t’ia lejojë vetes që të organizojë luftën, por jo paqen. Nevojiten shumë, shumë para për rindërtimin e Mosulit nga donatorët ndërkombëtarë. Këto para do të ishin një investim me vend. Sepse do të kundërshtonte ndjenjën e denigrimit te sunitët e Irakut. Kjo e mundësoi në thelb forcimin e IS. Por para së gjithash nuk duhet të shpërthejë grindje e re për pushtetin në Mosul./DW