Lajme Arkiva 2004
Agim Pepa dorëzohet në Policinë e Durrësit. Pepa ishte autori i vrasjes së komisarit të Policisë së Krujës Gani Malushi dhe efektivit të policisë Xhovalin Ndreu, shoferi i Malushit.
Pepa ka marrë iniciativën në orët e mbrëmjes të vetëdorëzohet në drejtorinë e policisë së Durrësit. Autori i vrasjes së Malushit, personi më i kërkuar nga policia shqiptare që nga data 6 gusht e vitit të kaluar qëlloi me breshëri në makinën e policisë vetëm 100 metra larg spitalit të Durrësit.
Pepa është drejtuar direkt në zyrën e shefit të uniformave blu të Durrësit Tonin Vocaj. Gjatë dorëzimit ai është shoqëruar nga mbrojtja e tij avokat Ferdinand Ndoja dhe avokate Klorida Dashi, të cilat kishin paralajmëruar vetëdorëzimin e tij në seancat e fundit në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, por duke e vënë si kusht pranimin e kërkesës së Agim Pepës për gjykim të shkurtuar.
Mësohet nga policia e Durrësit se Pepa do të qëndrojë fillimisht në qelinë e komisariatit të Durrësit dhe më pas do të transferohet në Tiranë. Agim Shurbi i njohur me mbiemrin Pepa, ekzekutoi përpara spitalit të Durrësit Gjovalin Ndreun dhe Gani Malushin /tvklan.al