“Papërgjegjshmëria në rrugë vret më shumë njerëz sesa vetë krimi”
Pas aksidenteve të rënda me pasojë vdekjen në ditët e para të këtij viti, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj paralajmëron se po hartohet një paketë e re masash ligjore.
Në një postim në Twitter, Lleshaj shkruan se “papërgjegjshmëria në qarkullimin rrugor do të marrë një përgjigje të fortë”.
Sipas ministrit të Brendshëm, në javët e ardhshme do të prezantohet një paketë me masa ligjore dhe administrative, që do të shërbejnë për të rritur sigurinë rrugore.
“Papërgjegjshmëria në qarkullimin rrugor po merr përgjigje të fortë nga Policia e Shtetit. Kjo qasje do të njohë intensifikim të mëtejshëm çdo ditë që vjen. Papërgjegjshmëria në rrugë vret më shumë njerëz sesa vetë krimi, ndaj të gjitha forcat duhet të bashkohen për të mbrojtur jetën njerëzore, përballë saj.
Në javët në vijim do të prezantohet një paketë e plotë masash ligjore, administrative, operacionale dhe teknike për më shumë siguri në rrugët tona. Të gjithë janë të ftuar për kontribut me ide, propozime dhe rekomandime në të gjitha këto fusha. Së shpejti do të ofrohen edhe mundësi teknike për qytetarët që duan të angazhohen në këtë proces shumë të rëndësishëm. 2020: Viti i Sigurisë Rrugore”, shkruan Sandër Lleshaj.
Televizioni Klan ka trajtuar vazhdimisht problematikën e mungesës së sigurisë në rrugë, ku gjatë ditës së sotme trajtoi fenomenin e kalimit të kafshëve në rrugë, duke u bërë burim aksidentesh. /tvklan.al