Dy persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim si përgjegjës për trafikimin e shtatë klandestinëve që humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi në Këlcyrë mëngjesin e së martës. Me anë të një njoftimi zyrtar, Policia bëri me dije se ka vënë në pranga Agustin Gjetën, 24 vjeç dhe Ramazan Dekovin 23 vjeç nga Shkodra.

Në kërkim u shpall një tjetër 23-vjeçar po nga qyteti i Shkodrës i konsideruar si organizator i rastit të trafikut të klandestinëve. Të tre ata thotë policia bashkëpunuan me shoferin e mjetit që mbeti i vdekur në aksident.

7 emigrantët nga Pakistani që humbën jetën nga ky aksident po transportoheshin nga drejtuesi i mjetit automjeti, nga kufiri grek drejt Shkodrës në kufi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm.

Emigrantët që humbën jetën janë të moshave 28-30 vjeç dhe deri më tani janë arritur të identifikohen 3 prej tyre me gjeneralitete të plota. Mjeti më të cilin ata po transportoheshin ishte pikasur nga policia pak pas orës 2:00 të mëngjesit, ku i është bërë shenjë për të ndaluar.

Drejtuesi nuk i është bindur dhe është larguar me shpejtësi, e cila dyshohet të jetë bërë edhe shkak i aksidentit. Policia ka vijuar kontrollet dhe rreth orës 04:00 të mëngjesit ka mundur ta gjejë automjetin të shkatërruar plotësisht në afërsi të fshatit Kuqar, buzë lumit Vjosa.

Tv Klan