Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza të ashpra në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin u shqyrtua situata në Kosovë. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, akuzoi Prishtinën zyrtare se po pengon kthimin e serbëve në Kosovë. Sipas tij, janë më shumë se 200 mijë serbë të cilët nuk janë kthyer ende në shtëpitë e tyre.
Vuk Jeremiç: “Serbët e Kosovës duan të ushtrojnë të drejtën për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, dhe ne do të bëjmë gjithçka që t’i kthejmë ata në shtëpi. Problem më i madh është se nga të zhvendosurit serbë janë bërë më tepër se 40 mijë kërkesa për kthimin e pronave të uzurpuara ilegalisht dhe ata nuk kanë marrë përgjigje.”
I ashpër ka qenë reagimi i shefit të diplomacisë së Kosovës, Skënder Hyseni, i cili tha se deklaratat e Beogradit zyrtar janë thjesht akuza të pabaza përkundrejt autoriteteve të Prishtinës.
Skënder Hyseni: “Qeveria e Beogradit po inkurajon serbët të mos kthehen në Kosovë. Shifra prej 40 mijë kërkesa për kthime pronash është fantazi. Beogradi po luan me shifrat. Ata i shfrytëzojnë këto mbledhje të rëndësishme vetëm për të thënë se Kosova nuk po bën atë që duhet të bëjë.”
Hyseni tha se Kosova është e angazhuar në kthimin e të gjithë të shpërngulurve nga Kosova. Po kështu Hyseni u shpreh se me vendosjen e misionit të BE në Kosovë, EULEX, prania e UNMIKU-t nuk është më e nevojshme.
Aktualisht, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë luan ende rol në pjesët me popullsi serbe të vendit./tvklan.al