Gjenitë e vegjël të Televizionit Klan do të ketë pranë tyre një engjëll mbrojtës, në natën e pestë të spektaklit, kantautorin e njohur italian Albano Carrisi.

Carrisi ka mbërritur këtë herë në Shqipëri, ekskluzivisht si i ftuari special në spektaklin “Gjeniu i Vogël” në TV Kombëtar Klan.

Prezantimin e parë me këngëtarin italian, fëmijët e “Gjeniut të Vogël” e patën gjatë provave, ku dhe interpretuan për të dhe së bashku sukseset në vite të  Albano Carrisit.

Këngë si “Felicità”, “Okinawa”, “Cara terra mia”, “Libertà” apo “Nel Sole”, me të cilën në 1967 arriti suksesin e tij të parë, aq sa u xhirua edhe një film, ku vetë Albano interpretoi.

Por gjatë provave përveç emocioneve, nuk munguan as çastet e humorit:

Albano Carrisi: “Impresioni që unë kam mbi këta të rinj është se kanë një vokalitet shumë interesant dhe pastaj lehtësia me të cilën këndojnë në një gjuhë tjetër, që nuk është gjuha e tyre dhe mbi të gjitha se si ata futen brenda në pjesë, si aktorë të vërtetë, të habisin. Ndoshta janë bijtë e rinj të televizionit të vjetër, që është bërë tashmë një nënë e veçantë, pasi përndryshe mrekulli të tilla janë të paimagjinueshme.”

Duke i krahasuar gjenitë e vegjël shqiptare me ata italianë, Carrisi tregon se pothuajse nuk ka asnjë ndryshim midis tyre.

Albano Carrisi: “I vetmi ndryshim që shikoj është ndoshta theksi, por cilësitë janë për t’u pasur zili. Edhe kur kam qenë i ftuar tek spektakli “Io Canto”, kam dëgjuar disa fëmijë, sidomos njëri, që më ra në sy mbi të tjerët, i talentuar, prezencë e bukur në skenë, me një siguri skenike sikur të ishte pjesë e saj. Të njëjtën gjë po vërej edhe këtu sot.”

Në natën e pestë të spektaklit “Gjeniu i Vogël”, në drejtimin e Suela Demirit, nuk do të mungojnë emocionet, këngët e interpretuara drejtpërdrejt nga fëmijët, as debatet me jurinë e përbërë nga Robert Radoja, Robert Aliaj, Nertila Koka dhe Alma Bektashi. Por mbi të gjitha, super i ftuar Albano Carrisi me siguri do të bashkojë të vegjël e të mëdhenj pranë ekranit të TV Klan./tvklan.al