Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Milanin në Ligën e Kampioneve.
Tekniku italian, e cilësoi si sfidë speciale, për shkak të së kaluarës te kuqezinjtë, por deklaroi se nuk duan të luajnë.
Referuar tragjedisë së përmbytjeve në Valencia, Ancelotti tha se nuk mund të festojnë në një ndeshje, ndërkohë që njerëzit po vuajnë. Sipas tij, dëshira është që të mos luajnë, por nuk i vendosin ata rregullat.
“Do të jetë një ndeshje e speciale, për shkak të së kaluarës sime. Do të jetë një ndeshje shumë e mirë mendoj. Milani nuk e ka nisur mirë, por janë një ekip shumë i rrezikshëm që kanë një cilësi të madhe. Kanë potencial të madh, të cilin ende nuk e kanë shfaqur. Ne duhet të përpiqemi të përshtatim lojën tonë me karakteristikat e lojtarëve tanë.
Topi i Artë? I përket të kaluarës, unë fitova më 1 qershor me Champions League. Fatmirësisht ne patëm kohë për t’u përgatitur për ndeshjen dhe Vinicius është mirë. Ai është i trishtuar si të gjithë ne, por jo për Topin e Artë, por për tragjedinë në Valencia.
Jemi të trishtuar për atë që ndodhi në Spanjë. E gjithë bota e futbollit ishte e qartë dhe nuk donim të luanim. Megjithatë, ne duhet të respektojmë atë që na kërkohet të bëjmë.
Futbolli është festë dhe nuk mund të festosh nëse njerëzit rreth teje nuk janë mirë. Për mua ne duhet të mos luajmë, por nuk jemi komandantët dhe për këtë arsye ne përshtatemi. Nuk kemi fjalë për këtë. Fuqia jonë është zero”, deklaroi Ancelotti.
Ndeshja Real Madrid-Milan, do të luhet të martën në orën 21:00. /tvklan.al