Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Anëtarët opozitarë të komisionit hetimor anti-Rama e konsiderojnë një eksperiencë krejt të ndryshme procesin e mbledhjes së provave në Ministrinë e Kulturës. Pasi kanë qëndruar për më shumë se dy orë në një takim me zv/ministrin Halil Lalaj, kryetari i komisionit Olldashi tregon, se ky institucion u ka vënë në dispozicion të gjitha dokumentet e kërkuar pa dhënë shumë hollësi për përbërjen e tyre.

Sokol Olldashi:- “Më vjen mirë të deklarojë që kemi gjetur një predispozitë krejt tjetër në Ministrinë e Kulturës, krejt ndryshe nga institucioni i Bashkisë së Tiranës. Kemi biseduar për një periudhë me zv/ministrin Lalaj, i cili ka marrë, sigurisht me miratimin e ministres, të gjitha masat për të na vënë një zyrë në dispozicion. Na është bërë e njohur lista e dokumentacionit që është në disponim të Ministrisë së Kulturës, sepse një pjesë të dokumenteve që ne kemi kërkuar, i ka sekuestruar prokuroria, për çështjet që i ka në ndjekje penale dhe besoj që procesi i punës në këtë ministri, do të eci siç duhet”.

Ndërkohë, i pyetur se kur do të shkojnë sërish në Bashkinë e Tiranës, zoti Olldashi shprehet i sigurt, se edhe bashkia herët a vonë do të respektojë ligjin./tvklan.al