Policia e Shtetit ka zhvilluar sot një konferencë të përbashkët me Policinë Italianë lidhur me rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit 2020. Në konferencën “Shqipëria pa kanabis”, ka marrë pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe drejtues të Policisë Italiane dhe kanë treguar punën kundër kanabisit si dhe kanë treguar disa shifra.
Veliu në fjalën e tij tha se policia pas sigurimit të informacioneve ka goditur kultivimin me fidanë dhe kultivimin e bimëve narkotike në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër të mundshëm, për përdorim nga grupet kriminale.
“Në total për vitin 2020, Policia e Shtetit realizoi gjithsej 143.844 kontrolle duke kryer 413.357 orë shërbimi; U intensifikua kontrolli i territorit nëpërmjet flotës së dronëve të policisë. Për vitin 2020 janë përdorur 38 dronë, nga 24 dronë që ka qenë flota e tyre për vitin 2019; U përdorën në mënyrë efikase për monitorim ajror edhe helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë vit janë kryer 90 orë fluturimi, ndërsa në vitin 2019 ishin 60 orë fluturimi”, deklaroi Veliu.
Më tej drejtori i policisë tregon se: Për vitin 2020 u morën dhe u trajtuan 4376 informacione policore për kultivim të bimëve narkotike ose 148 më shumë se një vit më parë; U ndoqën 131 përgjime parandaluese për subjektet e dyshuara për veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, 49 më shumë se një vit më parë;
Gjithashtu u referuan 109 procedime proaktive me metoda speciale të hetimit për kultivim të bimëve narkotike dhe u realizuan 38 prej tyre ose 33 procedime me shumë se një vit më parë; U evidentuan 11 raste të sekuestrimit të farave të bimës narkotike cannabis sativa ku u sekuestruan 14.877 fara të bimës kanabis sativa, ose 7 raste dhe 6060 fara me shumë se viti i kaluar.
Veliu shtoi se në muajin qershor të vitit 2020, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. “Janë kryer gjithsej 67 misione fluturime monitorime ajrore me 185 orë. Në total për vitin 2020, nga monitorimet ajrore janë identifikuar e asgjësuar 58.423 bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa në vitin 2019 u identifikuan e asgjësuan 25.719 bimë ose 32.704 bimë më shumë”, shtoi ai.
Sipas numrit një të uniformave blu mungesa e lëndës narkotike në treg është reflektuar edhe në çmimin e saj, i cili është rritur nga 800-900 euro për kg në 2019 në 1400-1500 euro për kg në 2020./tvklan.al