Grabitësi i një banese në fshatin Paskuqan, ku ka mbetur i plagosur një i moshuar, është i afërmi i këtij të fundit, 25-vjeçari D. S. nga kryeqyteti. Kështu ka deklaruar Policia e Tiranës pas arrestimit të kryer në orët e vona të së mërkurës të 25-vjeçarit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:00 pas mesnate kur S. në bashkëpunim me dy persona të tjerë të armatosur kanë hyrë në banesën e Xh. K. 25- vjeçari është njohur nga një prej personave të shtëpisë A. S., kushëri i autorit. Kjo ka qenë arsyeja që i moshuari që kishte ardhur për pushime nga Italia ëshhtë plagosur nga i afërmi grabitës, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Pas një pune të organizuar e profesionale u bë i mundur, në harkun kohor të 6 orëve, pra rreth orës 09:00 të identifikohej dhe të kapej njëri prej autorëve të dyshuar. D. S., i dyshuar si autor kryesor i kësaj ngjarje, është kapur në banesën e tij në Laprakë të Tiranës dhe në orën 21:00 policia gjyqësore e Komisariatit Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi kryen veprimet proceduriale penale, vendosën masën e arrestit ‘flagrancë’ për këtë shtetas.”

Krimi i vjedhjes, edhe sipas prokurorisë së kryeqytetit, ka shënuar shifra të larta. Vetëm gjatë muajit gusht nga 170 procedime penale të nisura nga ky organ, 70 janë vjedhje kryesisht banesash dhe mjetesh motorike. /tvklan.al