Një i ri ka rënë në pranga e policisë së Tiranës për akuzën e armëmbajtjes pa leje. I arrestuari është 21 – vjeçari Ervis Kovaçi, banues në kryeqytet.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se, pas marrjes së informacioneve se 21 – vjeçari qarkullonte me armë zjarri, specialistët të krimeve të hapura në Komisariatin e Policisë Nr. 1, bënë të mundur arrestimin e tij.
Në momentin e ndalimit, Kovaçi ndodhej në rrugën “Bardhyl”, duke lëvizur me biçikletë ndërsa armën e zjarrit e mbante në një çantë shpine.
Në cilësinë e provës materiale atij iu gjetën dhe sekuestruan një automatik model AK-47 dhe 30 fishekë.
Policia thotë se po punon për të sqaruar arsyen se përse i ndaluari dispononte këtë armë e zjarri dhe implikimin e tij të mundshëm në ngjarje të ndryshme kriminale.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit./tvklan.al