Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Dy javë pas sherresh dhe tensionesh politike, komisioni hetimor parlamentar për bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës, ka arritur konsensusin. Pa shumë diskutime, anëtarët e komisionit të mazhorancës dhe opozitës kanë pranuar një plan paraprak të përbashkët hetimi, që reflekton objektin për të cilin është ngritur komisioni.

Mbështetur në këtë plan, komisionerët nuk do të vonohen më dhe së bashku duke filluar nga e hëna, do të shkojnë për të hetuar Bashkinë e Tiranës.

Bardhyl Agasi:- “Zoti Olldashi shumë mirë vazhdoi në këtë drejtim, që ne ditën e hënë pastaj do të paraqesim, u konsultuam edhe me shokun Xhafa, si jurist dhe si sekretar, të paraqitet dhe projektvendimi për ekspertët dhe unë po ju them, shqetësimi që pati dikush, një nga zotërinjtë këtu, që do të fillojmë ditën e hënë, të jeni të sigurt, që pas mbledhjes direkt të shkojmë në dyert e bashkisë, të ministrisë, ashtu si mendoni, nuk ka asnjë lloj paragjykimi”.

Sokol Olldashi:- “Sot kemi bërë një hap, të cilin unë ua propozova një javë më parë. U bë sot, kemi humbur 15 ditë, megjithatë shpresojmë, që ky komision të vazhdojë të punojë”.

Por edhe pse kjo pjesë e rëndësishme për vazhdimësinë e komisionit kaloi pa probleme, debatet mes komisionerëve nuk kanë munguar. Me deklarata dhe kundër deklarata, ata janë përpjekur që të nxjerrin forcat përkatëse politike, si fitimtaret e kësaj beteje dyjavore. Megjithatë, palët arritën në kompromis pas ndërhyrjes këmbëngulëse të kryetarit të Kuvendit Servet Pëllumbi, i cili i ka mbledhur disa herë drejtuesit e komisionit edhe në kulmin e tensionimit të situatës mes socialistëve dhe demokratëve./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço