Hedhja e sendeve të forta në derbin me Real Madrid i ka kushtuar shtrenjtë njërit prej autorëve. Klubi i Atletikos së Madridit ka ndaluar përjetë hyrjen e tij në stadium. Të njëjtin fat sipas skuadrës spanjolle do të ketë edhe të tjerët, për të cilët po punon ngushtë me policinë për t’i identifikuar dhe dënuar.
Derbi i Madridit u ndërpre në minutën e 69-të kur portieri i Realit, Thibaut Courtois, një ish-lojtar i Atléticos, iu ankua gjyqtarit se ishte shënjestruar nga tifozët të cilët i hodhën çakmakë dhe mjete të tjera të forta. Trajneri i Atléticos, Diego Simeone dhe disa lojtarë u përpoqën të qetësonin ultrasit e zemëruar, disa prej të cilëve mbanin kapuç.
Në deklaratën e saj Atletico theksoi se do të përfshijë menjëherë në rregulloret e saj të brendshme ndalimin e përdorimit në stadium të çdo elementi ose veshjeje “që pengon dallimin e fytyrës së një personi për të fshehur identitetin. Në rast mosrespektimi me këtë rregull personat e përfshirë do të përjashtohen menjëherë nga stadiumi.
Të gjitha incidentet e hedhjes së objekteve erdhën nga tribuna jugore, ku ishte seksioni i Atletico-s dhe tradicionalisht janë vendosur ultrasit e tyre. Në mesin e tyre janë grupi radikal i ekstremit të djathtë të cilët kryen edhe përshëndetje naziste në derbin me Realin. Përpos dënimeve në mesin e tifozëve, Atletiko e Madridit rrezikon zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë për disa javë.
Klan News