Tingëllon e çuditshme apo e pabesueshme, por është e vërtetë. Lumi që zien të gjalla gjallesat nuk gjendet në rreshtat e miteve apo trillimeve, por në zemër të Amazonës.
Besoni apo jo, lumi Shanay-Timpishka ndodhet në rajonin Mayantuyacu të Perusë. Uji i tij mund të arrijë temperaturën deri në 100 gradë Celsius. Eksploruesi Andrés Ruzo udhëtoi deri në Amazonë për të zbërthyer misterin e këtij lumi “mistik”.
Për mediat e huaja ai tha: “Temperatura më e nxehtë që kam matur është 100 gradë Celsius. Është e pabesueshme që të imagjinohet, por është e vërtetë. Ti fut dorën brenda në ujë dhe pa frikë do të pësosh djegie të shkallës së dytë ose më keq akoma të shkallës së tretë brenda pak sekondave.“
Ndërkohë që emri i lumit tingëllon si makth shkencëtarët e klimës nga Universiteti i Majamit bëhen më objektivë. Ata thonë se ky lum që avullon, në fakt mund të jetë një “dritare shprese për të ardhmen”.
“Na pëlqen apo jo Amazona do të bëhet më e nxehtë. Pra, kjo na lejon të kuptojmë se çfarë do të bëjë rritja e temperaturës me përbërjen e pyjeve. Mund të na tregojë se cilat specie do të humbasin dhe si mund të jetë përbërja e pyllit në të ardhmen”, tha një prej shkencëtarëve.
Shanay-Timpishka për herë të parë u vu në dukje nga gjeoshkencëtari Ruzo në vitin 2011. Ai kishte dëgjuar shumë për këtë lumë nga legjendat e Perusë. Megjithëse se i dukej fantazi, gënjeshtër apo mit, kishte diçka që e intrigonte. Ai udhëtoi drejt vendit ku legjendat flisnin dhe konfirmoi atë që tingëllonte si e pavërtetë.
Ndërkohë hulumtimet e gjeoshkencëtarëve gjetën përgjigjen e nxehtësisë së ujit në lumin Shanay-Timpishka.
Kur shiu bie në zonën përreth, ai grumbullohet në shkëmbin sedimentar poroz. Ndërsa lëviz nëpër shkëmb, ai ngrohet nga nxehtësia primare e kores së Tokës, duke arritur temperaturën maksimale 100 gradë.
Gjallesat të cilave u gabon instinkti dhe hyjnë në lumë ziejnë të gjalla. Ndërkohë që gjeoshkencëtarët kanë vënë re se janë shumë të pakta gjallesat që u rezistojnë atyre temperaturave të larta. Nga ana tjetër bimësia përreth shtratit të lumit duket më rezistente./tvklan.al