Aldison Belulaj kishte ditë, ndoshta edhe javë, që planifikonte krimin makabër të ndodhur pasdrekën e së dielës në kryeqytet. Sipas dëshmive të marra nga vendlindja e të rinjve në Zharrës të Fierit, 23-vjeçari ia kishte treguar planin shokëve të tij e madje u kishte treguar atyre edhe plumbat me të cilët do të kryente krimin.

“Humbja tragjike e jetës së 21-vjeçares ishte e papritur, por jo për rrethin shoqëror të autorit. Ky i fundit e kishte deklaruar një javë më parë se do të kryente vrasjen e vajzës, si dhe vetëvrasjen e tij. Madje kishte treguar edhe dy plumbat me të cilët kreu aktin”. 

Kështu shprehet gazetarja e ABC News, Valbona Daci, e cila këtë të hënë ka shkuar në shtëpinë e dy të rinjve në Zharrës të Fierit.

Një ditë pasi Ariela Murati, vetëm 21-vjeç u qëllua për vdekje nga 23-vjeçari Belulaj, pasi vajza refuzoi që të kishte një histori dashurie me të, familja e studentes së Drejtësisë ka hapur dyert e mortit.

E reja ishte kërcënuar vazhdimisht nga 23-vjeçari, e madje shqetësimin e saj ia kishte rrëfyer jo vetëm prindërve, por edhe të afërmve të saj. Vetëm pak ditëm parë, Belulaj kishte debatuar me kushërinjtë e vajzës, në qendër të fshatit Zharrëz dhe besohet se ata i kishin kërkuar që ta linte 21-vjeçaren të qetë.

Aldison Belulaj

Ishte ora rreth 14:50 minuta, kur Aldison Belulaj i doli para Ariela Muratit, e cila ishte e shoqëruar nga motra dhe vajza e tezes. Ai e qëlloi të renë me dy plumba e më pas e ktheu armën nga vetja. Studentja në vitin e tretë të Drejtësisë gjeti vdekjen, ndërsa Belulaj ndodhet i shtruar në spital.

/tvklan.al