Ish-ministri i Jashtëm sllovak u akuzua nga Kurti për njëanshmëri
Brukseli ka vendosur që të largojë nga detyra ndërmjetësin për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak. Ish-ministri i Jashtëm sllovak u emërua si ndërmjetës evropian në dialog në Prill 2020 ndërkohë që mandati i tij përfundon në fund të muajit Gusht.
Sipas burimeve diplomatike në kryeqytetin belg, Lajçak do të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër dhe do të marrë detyrën më 1 Shtator të këtij viti.
Për momentin nuk ka asnjë konfirmim se kush do ta pasojë Lajçakun, por diskutimi brenda BE-së tashmë ka filluar, ndërsa vendimi do të merret pas zgjedhjeve evropiane të planifikuara për në qershor të këtij viti.
Pasardhësi i Lajçakut duhet që të emërohet para 1 shtatorit për të mos krijuar boshllëk institucional.
Ky emërim duhet të presë zgjedhjen e kreut të ri të diplomacisë evropiane, post që aktualisht mbahet nga spanjolli Josep Borrell. Me largimin e spanjollit Borrell dhe sllovakut Lajçak përfaqësues të dy shteteve që nuk e njohin Kosovën si shtet do të vendoset se si do t’i qaset BE-ja në të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ka nisur në vitin 2011.
Lajçak, është akuzuar për “njëanshmëri” në proces në favor të Serbisë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Këto deklarata ai i kishte bërë kur bashkësia ndërkombëtare po i bënte thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulnin tensionet në veriun e Kosovës, që u rritën në maj, pas marrjes së detyrës nga kryetarët shqiptarë, në komunat e banuara me shumicë serbe.
Ndërkaq, burimet diplomatike mësohet se ambasadori aktual i BE-së në Estoni, Aivo Orav, është zgjedhur që të jetë shefi i ri i Zyrës së bllokut evropian në Kosovë qe do të zëvendësojë në këtë post ambasadorin aktual, Tomas Szunyog.
Në kuadër të ndryshime, diplomati italian, Luigi Soreca, pritet të bëhet shef i delegacionit të BE-së në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës. Diplomati italian ka qenë ambasador i BE- së në Shqipëri.
Klan News