Ambasada e Bashkimit Evropian në Shqipëri ka komentuar miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në një deklaratë për mediat, BE shprehet se ndryshimet  “nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit”.

Më tej selia diplomatike shkruan se janë të keqardhur që nuk u arrit kompromis në Këshillin Politik.

Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament. Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet”, vijon deklarata.

Në fund Bashkimi Evropian thekson se marrëveshja e 5 qershorit parashikonte intergritet dhe transparencë për procesin zgjedhor.

Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit”, përfundon deklarata e ambasadës së BE në Tiranë.

Reagimi i Bashkimit Evropian vjen pas miratimit me 97 vota të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të propozuara nga maxhoranca dhe nuk gjetën dakordësinë e opozitës./tvklan.al