Me një agjendë intensive takimesh në veri të vendit, Kryeministri Sali Berisha, u ndal në Pukë. Kryeministri tha se në katër vite qeveria që drejton shumëfishoi investimet për këtë zonë falë të cilave u ndërtuan 11 ujësjellësa , 7 shkolla si dhe 18 ambulanca.

Sali Berisha: “Puka do të jetë një kantier i vërtetë ndërtimi minierat, ujërat, pyjet e saj do shndërrohen në pasuri në radhë të parë për ju, për begatimin tuaj. Socialistet e socialist të Pukës dhe mbarë Shqipërisë, Edi Rama, në thelb nuk ju don ju. Ai prej kohësh ju ka zëvendësuar ju me 99-sha me të cilët ndan lejet e ndërtimit”.

Kryetari i qeverise tha në Pukë se çdo votë për Edi Ramën, është një votë për kthimin pas të vendit.

Berisha: Në katër vite, Tirana më pranë

Në Fushë-Arrëz kryeministri ftoi serish banorët të votojnë projektin e madh të demokrateve për ta bërë vendin anëtar të BE-së brenda katër vitesh. 6 herë më të mëdha llogariten investimet  e demokrateve për këtë zonë krahasuar me qeverisjen e socialisteve.  

Sali Berisha: “Dua t’ju premtoj me solemnitet banorëve të Iballës se rruga e tyre ësntë dhe do mbetet përparësi madhore për qeverinë time, sikundër edhe shkurtimi i distancës tuaj me Tiranën. Kështu që një nga rrugët e reja do të jetë lidhja juaj me autostradën, me korridorin e kombit. Në Pukë pasuritë tuaja, minierat tuaja, pyjet, potenciali turistik gjatë 4 viteve që vijnë do shndërrohen me shpejtësi në vlera për ju, vlera për mbarë Shqipërinë”.  

Kryeministri tha i sigurt edhe në Fushë-Arrëz se do të bëhen realitet të gjitha objektivat e detajuara në programin e ri qeverisës së demokratëve.

Berisha: Subvencione për fermerët

Në Vaun e Dejës kryeministri kujtoi angazhimin e qeverisë që drejton për fermerët. Berisha garantoi se do të financohet çdo projekt që ka si qëllim nxitjen e prodhimit.

Sali Berisha: “Në bashkinë tuaj ndërtohet një nga hidrocentralet më të mira, më të bukura, më të rëndësishme të vendit. Jam këtu para jush për tu dhënë ju fjalën se ne do të subvencionojmë të gjitha sipërfaqet e mbjella nga ju për imputon dhe naftën. Do të financojmë frutikulturën, ullirin dhe të gjitha kulturat që ju do të mbillni për interesin tuaj”.

Kryeministri Berisha ftoi banorët e Vaut të Dejës të vazhdojnë së bashku ndryshimin që do ta bëjë Shqipërinë për nga standardet të kalojë të paktën 6 vende të BE-së.

Berisha inauguron rrugë, premton rrugë të reja

Plot 300 milion lekë kushton rruga Cakran-Fier, rreth 15 km e gjatë. Kryeministri Sali Berisha, ishte në ceremoninë që shënojë fillimin e punimeve për këtë investim të rëndësishëm, por edhe për të garantuar banorët e Cakranit për zbatimin e projekteve të reja për këtë zonë.

Sali Berisha: “Do ndërtojmë rrugën tjetër Frakull-Cakër. Ja kam premtuar komunës së Frakullës dhe do ta ndërtoj me përparësi të madhe. Së treti kam ardh këtu tu premtoj se ju do jeni një ndër përfituesit kryesorë të projektit të ullirit. Projekt i cili do jetë projekt kryesor për bujqësinë në 4 vitet që vijnë”…./tvklan.al

Gazetare Menada Zaimi