Kryeministri Berisha tha sot me rastin e qëndrimit në Prekaz se ky vend është një Krujë e dytë.
Gjatë homazheve që iu bë familjes Jashari dhe vetë komandantit Adem Jashari, Berisha u shpreh se Prekazi është sakrifica e popullit shqiptar, ndërsa komandanti Adem Jashari dhe familja e tij janë kurora e kësaj sakrifice.
Kryeministri shqiptar që dukej të kishte mjaft emocione u kërkoi të gjithë shqiptarëve që të paktën njëherë në jetën e tyre ta vizitojnë këtë vend.
Atë e pritën qindra qytetar të kësaj ane dhe shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Për të valuan flamuj e u hodhën valle.
Sali Berisha: “U preka shumë sepse i patë ata fëmijë. Ata të gjithë kanë lindur pas luftës, ata të gjithë kanë marrë emrat e martirëve të familjes Jashari.”
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë për mbështetjen e qeverisë shqiptare para, gjatë dhe pas luftës. Derisa ka uruar anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Murat Jashari: “Mendoj që falë sakrificave të shumta që janë bërë nga të gjithë luftëtarët e të gjitha trojeve shqiptare është dhënë mundësia edhe filozofëve që të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë punët e tyre që rrugët e së ardhmes, rrugët e fëmijëve tonë, rrugët e rinisë të jenë më të arta.”
Kryeministri Sali Berisha në ditën e dytë të tij të vizitës në Kosovë, po qëndron në Prizren ku edhe do të shpallet qytetar nderi i këtij qyteti./tvklan.al