Në kuvendin e Partisë Demokratike të Lezhës kryeministri solli në vëmendje kryeargumentin e debatit politik në vend, zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.
Berisha tha se standardet e tyre, përbënin angazhimin kryesor të forcës politike që drejton një angazhim që siç tha kryeministri daton hershëm prej kohës kur në Shqipëri u rrëzua diktatura komuniste.
Sali Berisha: “… i Sali Berishës, arritja më e madhe e karrierës sime politike kanë qenë zgjedhjet e 28 Qershorit. Ne që shembëm murin e Berlinit me 8 dhjetor, themeluam pluralizmin. Ne nuk kishim mision më të madh se sa rivendosjen e votës.”
Berisha akuzoi Ramën për përpjekje të vazhdueshme për të mos futur Partinë Socialiste në zgjedhje.
Kryeministri solli në vëmendje zgjedhjet lokale të vitit 2007, shtyrja e tyre tha Berisha ishte frutë i përpjekjeve të Ramës për t’i bojkotuar ato.
Kryeministri bëri një argumentim të gjatë të përpjekjeve të mazhorancës që drejton për të garantuar futjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2009.
Bashkë me këtë po aq rëndësi mazhoranca i kushtoi standardeve të procesit, që siç tha kryeministri morën vlerësimin më të lartë ndërkombëtar.
Sali Berisha: “Dua të jemi fatlum se zgjedhjet tona i ka firmosur për herë të parë opozita shqiptare. Zgjedhjet tona mbajnë firmën e 20 mijë anëtarëve të PS-së, njerëz të ndershëm, me dinjitet, njerëz të ligjit. Zgjedhjet tuaja të dashur qytetar janë certifikuar nga burrat e shteteve të mbarë botës që i kanë dërguar kryeministrit legjitim të këtij vendi urimet më të përzemërta se kurrë më parë. Atëherë unë dua t’i them dy fjalë zotit Rama, zoti Rama të jem shumë i sinqertë me ty mos njohja e këtyre zgjedhjeve nga ti vetëm më nderon dhe të ftoj kurrë të mos i njohësh. Po pse e bën këtë, se unë e bëj këtë për këto fakte, zgjedhjet i ka njohur opozita shqiptare, zgjedhjet i ka certifikuar opozita shqiptare, zgjedhjet i ka firmosur opozita shqiptare, por zgjedhjet nuk i njeh ti për shkak të mentalitetit dhe të mendësisë së familjes historike që i përket dhe familjes biologjike që i përket. Zoti Rama, këtë qëndrim mbante vetëm Enveri ndaj zgjedhjeve, për Enverin zgjedhjet ishin farsë dhe vetëm farsë. Kur ne të tjerët loznim me topa lecke me … , me pambuk, me lesh, me copa të leshta lustroje bronzet e Enverit në studion e babës tënd dhe nga kjo mendësi guxon dhe kërcënon.”
Kryeministri deklaroi edhe nga Lezhë se pas bojkotit të Kuvendit fshihen qëllime mafioze të kryetarit të Partisë Socialiste.
Sali Berisha: “I them kapos, bosit të mafies më të rrezikshme në Evropë se klani do të çmontohet. Nëse harron ti … mund të përdorësh institucionet e asaj bashkie për tu dhënë Shkrepave apo Eftimëve tu 70% të lejeve, për t’u dhënë Tulakëve të tu apo Kokëdhimëve sheshet gjigande të Tiranës, për të përvetësuar trojet publike të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Jo, jo dhe jo ligji do bëhet ndaj dhe zoti Rama e mbyll këtë fjalë mos njohja e zgjedhjeve nga ti të jem i sinqertë më nderon. Bëj si të duash unë do bëj ligjin, do bëj kushtetutën, do forcoj shtetin ligjor si interesi më jetik i qytetarëve shqiptar.”
Në Lezhë kryeministri Berisha përfitoi nga rasti të ftojë qytetarët me bindje të djathta e të majta politike të festojnë së bashku 8 dhjetorin, ditën që shënon rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Sali Berisha: “Me 8 Dhjetor të gjithë në Tiranë, të gjithë. Ftoj demokratë, ftoj socialistët që i besojnë pluralizmit, ftoj qytetarët që i besojnë pluralizmit të vijnë në Tiranë, të festojmë 13 vjetorin e pluralizmit. Rrugën nuk e kemi patur bulevard me lule, e kemi patur më të vështirën në Evropë, por rruga jonë është rrugë e suksesit, rruga e dantes, rrofshin qytetarët e Lezhës, rroftë Shqipëria./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi