92 milion lekë ka kushtuar shkolla 9-vjeçare “Besnik Hidri” në Shënavlash. Një investim i buxhetit të shtetit, model për nga kushtet dhe hapësirat që u ofron fëmijëve për shkollim.
Kryeministri Sali Berisha vizitoi disa nga klasat e kësaj shkolle takoi nxënës si dhe mori si shpërblim mirënjohjen e tyre për shkollën e re.
Krahas palestrës sportive, shkolla ka dhe dy kabinete informatike. Pak përpara fjalimit të rastit kryeministri zbuloi pllakatin e dëshmorit të atdheut Besnik Hidri, emrin e të cilit mban kjo shkollë.
Edhe në Shën Avlash kryeministri theksoi se programi i qeverisë që drejton ka në thelb interesat e shqiptarëve, arsimi renditet si prioritet kryesor.
Sali Berisha: “Se 4 vitet që vijnë kjo qeveri do bëjë çdo përpjekje që në çdo familje do ketë internet dhe kompjuter. Shpresa që ju vendosët mbi besimin e programit që paraqita 4 vite më parë nuk janë më shpresa, janë realitete mbi bazën e të cilëve lindin shpresa të tjera.”
Dyfishimi i numrit të studentëve, rritja e pagave dhe pensioneve përfshi dyfishimin e pensioneve për fermerët janë disa prej premtimeve të mbajtura të qeverisë.
Sali Berisha: “Tani unë ju premtoj ju se 4 vitet që vijnë pensionet në qytet, fshat do të barazohen dhe kjo jo duke bllokuar rritjen e pensioneve në qytet, se ato do vazhdojnë rritjen me ritme më të mëdha. Por duke rritur në mënyrën më të madhe edhe pensionet e fshatit.”
700 milion lekë janë investuar në komunën e Rashbullit 4 vjet të qeverisjes demokratike, u asfaltuan 13 km rrugë. Vetëm për Shën Avlashin, për ndërtimin nga e para apo rikonstruksionin e rrugëve u lëvruan 265 milion lekë. Në këto zëra qeverisja 8 vjeçare e socialistëve shënon 0 lekë investime.
Sali Berisha: “Mandatin e ardhshëm do të asfaltojmë jo çdo metër, por çdo pëllëmbë rrugë të kësaj komune. Finalizojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve. Do bëjmë çdo gjë që çdo familje të ketë ujë 24 orë.”
Në Shën Avlash kryetari i qeverisë akuzoi opozitën se ka si alternativë të vetme karrigen e kryetarit. Këtu Berisha i kërkoi sërish Ramës të dorëhiqet nga posti i kryetarit të bashkisë Tiranë.
Sali Berisha: “Zoti Rama një kërkesë kam dhe nuk e kam në interesin tim aspak. Nuk e kam aspak në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS dhe mbështetësve tu. Dil në shesh, bëhu burrë, shkëputu nga karrigia e kryetarit të bashkisë, jep dorëheqjen hajde të bëjmë garën ballë për ballë. Kush ta fitojë, çlirohu nga lejet e ndërtimit. Të dalë në shesh, për mua dhe për ju Skënderbeu është hyj, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi seç iu ka bërë Skënderbeu otomanëve. Jo me shpata, jo me topa, por me vota të lira dhe të ndershme.”
Kryeministri kujtoi arritjet më të mëdha të vendit anëtarësimin në NATO, ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE. Ai garantoi banorët e kësaj zone për liberalizim të vizave në muajt e parë të mandatit të dytë të qeverisjes së demokratëve./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi