Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi këtë të mërkurë një konferencë për shtyp me gazetarët. Në fokus të pyetjeve të tyre ishte përgatitja e PD-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. E teksa socialistët kanë ndezur motorët, pyetja ishte se në çfarë faze ndodhet PD. Berisha u përgjigj se Rama fushatën elektorale e ka nisur që me arrestimin e Sali Berishës dhe ndjekjen penale të disa opozitarëve të tjerë.

“Edi Rama fushatën elektorale e ka nisur me arrestimin e Sali Berishës, me ndjekjen penale të Fatmir Mediut, me ndjekjen penale dhe arrestimin e Fredi Belerit, me persekutimin publik të Ilir Metës, ndjekjen penale pa asnjë bazë të Ervin Salianjit. Besoj se këto janë. Kjo hapje e fushatës elektorale të garantoj se nuk ekziston as në Rusinë e Putinit dhe madje as në Venezuelë se kreu i opozitës erdhi në Spanjë dhe u largua nga vendi”, tha Berisha.

Një çështje tjetër e rëndësishme është edhe ajo e votës së diasporës. Berisha tha se Rama ka caktuar një bandit duke iu referuar Taulant Ballës si drejtues politik duke fyer, gjithnjë sipas ish-kryeministrit, emigrantët.  

“Sa i përket diasporës, PD ia doli të imponojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkesën e saj që nga viti 2013 për votën e diasporës. PS fyeu në mënyrën më të papranueshme diasporën. Jo vetëm se refuzoi në mënyrë të përsëritur të drejtën e votës së tyre, por në fund caktoi një bandit si Taulant Balla, një anëtar të bandave nga Elbasani, në Shkodër, Fushë Krujë e kudo. Një trafikant emri i të cilit gjendet në mënyrë të përsëritur për vrasje, për trafiqe, në dosje gjyqësore, në dosje hetimore”, tha Berisha.

Së fundmi Flamur Noka është takuar me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Berisha sqaron se mes palëve ka diskutime, por asnjë projekt të përbashkët të dorëzuar. Ai thekson se së shpejti do të ketë një datë për protesta dhe fokusi i opozitës është krijimi i qeverisë teknike. 

“Janë diskutime. Nuk ka një projekt të dorëzuar. Por diskutimet në këtë fazë janë të përqendruara totalisht në bashkëveprimin tonë për protesta të përgjithshme dhe krijimin e qeverisë teknike. Kjo është tema jonë e ditës”, tha Berisha./tvklan.al