Deklarata e bërë nga Ministri i Jashtëm, grek Nikos Kotzias se Greqia do të zgjerojë në 12 milje kufirin e saj detar në marrëveshjen e re me Shqipërinë, ka trazuar politikën në Tiranë. Ish–Kryeministri Berisha është i pari që flet me detaje rreth saj dhe akuzon përmes tyre Kryeministrin Rama se i ka falur Greqisë fusha të pasura me naftë e gaz, që thotë se kanë qenë historikisht brenda kufirit detar të Shqipërisë.
“Pasi anuloi me vendim 100% korruptiv të Gjykatës Kushtetuese dhe 100% për llogari të palës së tretë Marrëveshjen e Detit me Greqinë, të bazuar në traktatin e detërave “Montego Bay”, Edi Rama në fshehtësi dhe mungesë transparence të plotë ka arritur marrëveshjen e tij për detin, në të cilin i ka falur Greqisë as më shumë dhe as më pak sesa fushat më të mëdha të gazit dhe naftës të Jonit dhe Mesdheut, të cilat, që kur është themeluar shteti shqiptar kanë qenë territor i tij. Cilido që di të lexojë deklaratat e mësipërme e ka të qartë se marrëveshja është arritur dhe se Edi Rama ka pranuar hartën e palës greke, në të cilën, sipas burimeve të sigurta, përveç zgjerimit në 12 milje të kufirit detar të Greqisë, Rama i fali vendit fqinj fushat më të mëdha të gazit, por dhe naftës të Jonit dhe Mesdheut”.
Nga kjo marrëveshje, vijon ish–Kryeministri në një shkrim të gjatë në faqën e tij zyrtare në Facebook, po mbahet e fshehtë për faktin se Greqisë i janë falur 1 mijë metër katrorë sipërfaqe.
“Arritjen e kësaj marrëveshje, në të cilën Shqipëria humbet të paktën 1 mijë km katror sipërfaqe detare, Edi Rama e mbajti në fshehtësi të plotë dhe shqiptarët e morën vesh arritjen e saj nga informimi që bëri në parlamentin e vendit të tij ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili deklaroi se me marrëveshjen e arritur Greqia zgjeron me 12 milje ujërat e saj territoriale.”
Të martën, në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, ish–Kryeministri Berisha mësohet se e ka ngritur me forcë këtë çështje, duke ftuar të gjithë deputetët e tjerë që të kërkojnë transparencë për deklaratën e Ministrit të Jashtëm grek dhe marrëveshjen që ai thotë se është arritur mes dy vendeve.
Tv Klan