Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka denoncuar qeverinë për vjedhjen e qytetarëve përmes çmimit të naftës.
Në komunikimin me gazetarët nga selia blu, Berisha u shpreh se çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në botë. Dhe kjo sipas tij, ndodh për dy arsye.
Sipas kryedemokratit, taksat e larta që shkojnë mbi 1.13 Euro dhe kontrabanda e naftës e lejuar nga qeveria ndikojnë në çmimin e lartë të naftës.
Sali Berisha u zotua se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, taksat e naftës do të përgjysmohen, si dhe çmimi nuk do të shitet me variacion me çmimin e vendeve fqinjve që nuk prodhojnë asnjë litër nafte.
Kjo masë, theksoi, Berisha, do të jetë pjesë e paketës së 100 ditëve të Partisë Demokratike me ardhjen në pushtet.
Fjala e kryedemokratit Sali Berisha:
Sot jam para shqiptarëve dhe para jush për të denoncuar publikisht plaçkitjen e madhe që u bëhet shqiptarëve në çdo litër naftë dhe për të paraqitur alternativën e PD-së.
Në vitin 2013, nafta në bursë ka qenë 97 cent, në Shqipëri është shitur me 140 lekë, në përputhje me kursin. Kurse me 7 prill të viteve më parë, nafta në bursë ka qenë 97.2 cent, në Shqipëri është shitur me 2.2 euro.
Në mars të po këtij viti që citoj, nafta në Maqedoni shitej me 1.3 euro. Në Slloveni, që ka të ardhurat disa herë më të larta, shitej me 1.4, kurse Austria me 1.35 naftën.
Nafta në Luksemburg, që ka të ardhurat mbi 100 mijë euro për banor, shitet 1.1 euro atë vit. Në Shqipëri shitej po atë ditë, 2 euro e 6 cent.
Nafta, se kam marrë disa raste që të nxirret një mesatare, në Shqipëri shitej me 239 lekë, në bursë ajo shitej me 1 gjer 1.8 dollarë. Kurse në SHBA, atë ditë nafta shitej 0.8 dollarë, pra pothuajse tre herë më lirë se në Shqipëri.
Janë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Kjo taksë e tmerrshme mbi shqiptarët shënon një grabitje të tyre të pamëshirë dhe vendos shqiptarët, njerëzit me rrogat më të ulëta në Europë, përballë çmimeve më të lartë në botë të naftës, më të larta se Singapori që i ka të ardhurat 80 mijë dollarë për frymë, më të larta se Luksemburgu që kryeson shpeshherë edhe botën për të ardhura për frymë.
Çfarë ndodh? Pse kjo?
Sepse nafta jo vetëm peshon në buxhetin e të gjithë atyre që kanë automjete dhe ata sot janë qindra mijëra, por peshon në çmimin e të gjitha produkteve që kërkojnë transport, dhe çdo produkt kërkon transport.
Pra, gjobën e naftës e paguajnë jo vetëm ata që kanë automjete, por edhe ata nuk kanë automjete, sepse kanë një përqindje të fortë, 15-20 përqind në çmim transporti i mallrave.
Pse këto çmime?
Dy janë faktorët më madhorë. Unë kam bërë një analizë që i duhet PD për të bazuar alternativën e saj sepse kjo do marrë fund 100 ditët e para të qeverisjes së saj. Ky qëndrim hyn në paketën 100-ditëshe.
Kjo tabelë tregon se Shqipëria është në krye, jo të gjitha taksat i tregon kjo kollonë, por tregon se është 0.60 për litër në Shqipëri dhe është vetëm 0.26 euro për litër në Maqedoninë e Veriut.
Janë pra në Shqipëri 3 herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Janë dy herë më të larta se në Bosnje, janë dy herë më të larta se në Kosovë.
Për të zbërthyer tani të vërtetën e taksave që u merren shqiptarëve nëpërmjet naftës, kam tabelën e mëposhtme, të cilën po e lexoj.
Akciza: 38 lekë për litër.
Taksa e qarkullimit, e cila në vitin 2013 ka qenë 7 lekë, është sot 27 lekë.
Taksa e karbonit: 3 lekë.
Taksa e rilicencimit, se këta i ndajnë me lote: 7-10 lekë.
Markimi dhe skanimi: 3 lekë.
Kontrolli i pompave: 2 lekë.
Tvsh: 30 lekë.
Në total 1.130 lekë.
d.m.th secili shqiptar që blen një litër naftë, i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.
Natyrisht ky tatim i qytetarëve për çdo litër nafte 1.1 euro është unik, nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri dhe në mënyrë të padiskutueshme kjo ka ndikim të fuqishëm në çmimin e naftës.
Pra, është qeveria me absurditetin dhe pangopshmërinë e saj që ndikon në këtë çmim, në parimin se ata që kanë makina, kanë edhe para për të blerë.
Po se kjo ndikon te të gjithë qytetarët në çmimet e mallrave që blejnë, kjo ka pak rëndësi për ta. Por edhe ata që kanë makina, pjesa dërrmuse e tyre janë të mesëm dhe poshtë në të ardhurat që kanë.
Dhe është një qëndrim totalisht i vjetër, anakronik. Për vete shëtit me ‘Ismailin’, 21 milionë euro me 140 fluturime, kurse shqiptarët, thotë, makinat nuk duhet t’i përdorin ose le të bëjnë ç’të duan.
Por a është vetëm kjo shkaku i këtij çmimi stratosferik? Jo, nuk është vetëm kjo. Cila është tjetër? Kontrabanda qeveritare e naftës.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, nafta nuk mund të kontrabandohet pa bekimin direkt të qeveritarëve dhe pjesëmarrjes së tyre.
Po nga dalin të dhënat për këtë kontrabandë? Shqipëria kishte në vitin 2024, 868 mijë automjete. Kosova ka gjithsej 445 mijë automjete, pra pothuajse gjysëm për gjysëm më pak.
Por Kosova, me gjysmën e automjeteve të Shqipërisë, e cila nuk nxjerr asnjë ton naftë, zhdoganon 630 mijë ton naftë, kundrejt Shqipërisë me 550 mijë ton naftë. Po, janë të dhëna zyrtare këto.
Urdhëroni se çfarë ndodh, gjykojeni vetë, në një kohë kur Shqipëria prodhon rreth 1 milion ton naftë, Kosova nuk prodhon asnjë litër. Maqedonia nuk prodhon asnjë litër, por cmimet atje janë të paktën 40 përqind më të ulëta se në Shqipëri.
Besoj se paraqitëm këtu disa të dhëna të abuzimit qeveritar të tmerrshëm me naftën.
Pra, për t’u theksuar, Shqipëria në vitin 2013 me 480 mijë automjete, zhdoganonte 700 mijë ton naftë. Kurse Shqipëria sot me dyfishin e automjeteve, zhdoganon 630 mijë ton naftë.
Nafta, siç e shihni, është ari i zi me të cilin qeveritarët dhe kontrabandistët vjedhin më shumë se me çdo gjë. Tani, edhe njëherë e them, kontrabanda e naftës është kontrabandë qeveritare. Transportohet me tren ose anije. Në vitin 2013, kishte 30 kompani të licencuara për naftën, sot janë reduktuar në 5 kompani.
/tvklan.al